Seanca e radhës ndaj Thaçit dhe të tjerëve mbahet më 20 maj

13 maj 2022 | 16:06

Më 20 maj, duke filluar nga ora 14:30, do të mbahet në Gjykatën Speciale konferenca e radhës për ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Seanca do të mbahet ndaj katër ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Njoftimi është bërë me dije në kalendarin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Seanca e radhës vjen pak kohë pas konfirmimit të aneksit të aktakuzës së re ndaj krerëve të UÇK-së.

Ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për disa aktakuza të reja që janë paraqitur më 29 prill pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Thaçi ka thënë se nuk e ka kuptuar aktakuzën pasi, sipas tij, materialet kanë qenë shumë të redaktuara. Ai është deklaruar i pafajshëm.

Edhe Veseli është deklaruar i pafajshëm, duke kërkuar që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejt për ta shprehur pafajësinë para qytetarëve të Kosovës.

Të pafajshëm janë deklaruar edhe Krasniqi e Selimi, të cilët, gjithashtu, kanë kërkuar që të përshpejtohet procesi gjyqësor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në nderim të 41-vjetorit të rënies së heronjve Tahir e…