Sektori i emergjencave civile vazhdon të mbetet i neglizhuar në Kosovë

03 janar 2024 | 11:37

Tahir Ahmeti

Sektori i emergjencave civile në përgjithësi dhe shërbimi i zjarrfikjes dhe shpëtimit në veçanti po hyn në vitin 2024, i patrajtuar dhe i anashkaluar, me probleme të mëdha të grumbulluara e të pazgjidhura.
Rregullimi juridik i shërbimit të zjarrfikjes dhe shpëtimit, përmirësimi i kushteve të punës dhe mjeteve e pajisjeve, kompensimet e duhura në bazë të ligjeve, janë domosdoshmëri dhe, për të arritur këtë, qeveria duhet ta ndryshojë qasjen në raport me emergjencat civile. Qasje tjetër sigurisht nënkupton vendosje të vëmendjes buxhetore, njerëzore dhe teknike për këtë dikaster të rëndësishëm të sigurisë në vend.
Emergjencat civile duhet të vendosen në prioritet në vitin që vjen. T’i jepet vëmendje e plotë institucionale, fatkeqësisht e munguar deri më tash.
Ka mungesë të planifikimeve dhe mungesë të burimeve në këtë sektor.
Çështje tjetër që duhet fokusuar, po ashtu, është nevoja për koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve përgjegjëse dhe ngritje të gatishmërisë së institucioneve, kur kemi të bëjmë me reagimin e tyre në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore. Gjithashtu, duhet të punohet për ngritjen e vetëdijes së popullatës në raport me rrezikun nga fatkeqësitë natyrore dhe njohjen me rolin e emergjencave në trajtimin e këtyre fatkeqësive.
Situatat emergjente kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe të saktë.
Menaxhimi i emergjencave është me rëndësi sepse jo të gjitha rreziqet nga fatkeqësitë natyrore mund të parandalohen, por institucionet gjithmonë duhet të jenë të gatshme të intervenojnë për t’i shkurtuar apo zvogëluar dëmet njerëzore dhe materiale.
Pra, viti 2024 duhet të jetë vit i ndryshimit të qasjes së qeverisë në raport me emergjencat civile.
Ky ndryshim duhet të ndihet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Inzaghi më në fund mund të buzëqeshë para rifillimit të…