Sektori i hotelerisë pranë kolapsit, 17 mijë persona rrezikojnë të mbesin pa punë

22 shtator 15:17

Oda Hoteliere dhe Turistike e Kosovës ka paraqitur shqetësimet e tyre për vendimet e qeverisë për këta sektorë.
Kryetari i kësaj ode, Hysen Sogojeva, në një konferencë për medie ka thënë se kërkesat e këtij sektori janë heqja e kufizimeve dhe kalimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, pasi që, siç thotë ai, nga pandemia 85 për qind e këtij biznesi është në kolaps dhe se afër 17 000 persona e kanë humbur punën.

Sogojeva ka thënë se humbja financiare, vetëm në dasma parashihet të jenë afro 600 milionë euro, derisa ka folur edhe lidhur me vendimet e marra të qeverisë në kohën e pandemisë.

“Nëse shkojmë me shifër, diku rreth 85 për qind të këtij biznesi është në kolaps, dhe nëse e marrim total diku 20-25 mijë punëtorë punojnë në këtë sektor, do të thotë vetëm në këtë sektor diku rreth 16-17 mijë punëtorë mund të mbesin pa punë. Humbjet janë të mëdha. Vetëm dasmat që i kemi llogaritur janë diku 600 milionë euro”, ka thënë ai.

Ai ka quajtur të gabuara të gjitha vendimet e qeverisë, pasi sipas tij, nuk i ka marrë parasysh kërkesat e Odës Hoteliere dhe Turistike të Kosovës, derisa thotë se i kanë ndërmarrë të gjitha masat për mbrojte nga pandemia Covid-19.

Mosvotimin e projektligjit për rimëkëmbje nga ana e deputetëve, Sogojeva e ka quajtur vendim të turpshëm.
Ai ka thënë se duhen të hiqen të gjitha masat dhe duhet të lirohen njerëzit që të punojnë, sepse ai thotë se shteti i Kosovës mbahet nga taksat e këtyre bizneseve.

Sogojeva ka lutur qeverinë dhe deputetët që ta votojnë projektligjin për rimëkëmbje sa më shpejtë, përndryshe janë në gjendje t’i qesin në protestë 20 000 persona.

Ndërsa, këngëtari Afrim Muçiqi ka thënë se me mosvotim të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike po përdoren standarde të dyfishta. “Pse është përdorur standard i dyfishtë për estradën, për sallat e dasmave, për bizneset që janë industri jashtëzakonisht e madhe. Me këtë standard të dyfishtë e kanë shkatërruar një ekonomi të tërë e cila do të ketë kohë edhe vite për rimëkëmbje”, ka thënë Muçiqi, duke shtuar se politikanët që nuk po votojnë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike nuk ia duan të mirën këtij vendi. “Deputetët të mos luajnë me dinjitetin e njerëzve. Apeloj të gjithë votuesit që tash e tutje të hapin sytë dhe të shikojnë kujt po ua japin votën”, ka thënë Muçiqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci të martën ka…