Selimi numëron skandalet e vitit 2018 në institucionet e sigurisë

24 dhjetor 2018 | 16:23

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në një konferencë për medie ka renditur dështimet e institucioneve të sigurisë përgjatë vitit 2018.

Selimi ka thënë se kryeskandali i vitit 2018 ishte deportimi i 6 shtetasve turq në mënyrë tërësisht jo ligjore, aspak kushtetuese dhe tepër jo profesionale.

“Ndërkohë, AKI-ja është prej institucioneve më të dëmtuarve në imazh dhe në funksion. Në krye të tij u vendos një person i cili do të duhej shkarkuar nga puna e tij në drejtimin e policisë për shkak të skandaleve të shumta aty në vend se t’i besohej drejtimit i një tjetër institucioni të rëndësishëm. Po ashtu, përgjatë vitit një punonjës i AKI-së është vrarë brenda ambienteve të institucionit, ngjarje kjo për të cilën do të duhej të kishte informacion si për çdo vepër tjetër penale. Inspektorati i Policisë së Kosovës është i dëmtuar i radhës, ngjashëm me AKI-në, përmes vendosjes partiake dhe arbitrare në krye të tij të një personi i cili është kapur në shkelje të ligjit gjatë rekrutimit të oficerëve për këtë institucion”, ka thënë Selimi, raporton “Epoka e re”.

Po ashtu, ai ka thënë se Policia e Kosovës ka dështuar të ofrojë siguri, sidomos në mbrojtje të viktimave të dhunës në familje dhe njëjtë ka dështuar të ofrojë siguri më të madhe edhe në trafik.

“Nga ana e saj, Qeveria ka dështuar të ofrojë dy ligje të rëndësishme për sigurinë në vend: draft-ligjin ngelur pezull ndër vite për pensionimin e parakohshëm në polici dhe plotësim-ndryshimin për ligjin për shpëtim dhe zjarrfikje, i cili do të ofronte siguri më të madhe në komunitet dhe i cili do të merrej drejtpërdrejt me gjendjen e rëndë të zjarrfikësve. Zjarrfikësit nga ana e tyre nuk kanë lënë gur pa lëvizur për plotësimin e kërkesave duke bërë thirrje, peticione dhe protesta”, është shprehur Selimi.

Më tutje, Selimi ka folur edhe për transformimin e FSK-së në ushtri, duke thënë se Vetëvendosje i ka dhënë mbështetje këtij procesi.

“Në projektligjin për buxhetin, FSK-ja trajtohet njëjti sikur më herët, përafërsisht me të njëjtin buxhet dhe me të njëjtën dinamikë financiare. Nëse Forcat e Sigurisë së Kosovës trajtohen në atë formë, atëherë do ta kemi shumë të pamundshme realizimin e objektivave që parasheh ndryshimi i tre ligjeve që kanë të bëjnë me FSK-në”, është shprehur Selimi.

Krejt në fund, Selimi ka thënë se skandalet nuk janë aksidentale në këtë qeveri, por norma e saj e përditshme.

“Ndryshimi i shpeshtë i ministrave të punëve të brendshme e kanë bërë të pamundur kërkimin e përgjegjësisë dhe etikën profesionale dhe kanë stimuluar keqmenaxhimin e institucionit. Kjo qeveri dështimet dhe sabotimet e punëve të institucioneve i shpërblen me ngritje në detyrë. Prandaj duhet ta rrëzojmë për të filluar rrëzimin e një hierarkie të dhunshme dështimesh”, ka thënë Selimi.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asamblisti i Kuvendit Komunal të Drenasit, Petrit Sinani, i është…