Selimi takohet me drejtuesit e agjencive në Ministrinë e Drejtësisë, i siguron për mbështetje

09 qershor 2020 | 15:35

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi të martën është takuar me drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, dhe Avokatin e Përgjithshëm Shtetëror, Sami Istrefi.

Gjatë këtyre takimeve, ministri Selimi është njoftuar për punët, objektivat, sfidat dhe proceset që kanë këto dy Agjenci, të cilat funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Ministri Selimi, është njoftuar nga drejtori i SHKK-së për progresin e arritur në këtë agjenci, që sipas tij është me rëndësi të posaçme për një shtet të ri.

“Si përkushtim ndaj fuqizimit të sundimit të ligjit, jemi të fokusuar në rritjen e efikasitetit të mekanizmave të sistemit juridik, e në këtë kontekst edhe në modernizimin e digjitalizimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës”, ka thënë Selimi.

Po ashtu, ministri Selimi është takuar edhe me Avokatin e Përgjithshëm Shtetëror nga i cili është njoftuar për gjendjen, sfidat dhe projeksionet për të ardhmen e Avokaturës Shtetërore.

“Avokatin e Përgjithshëm Shtetëror e sigurova për mbështetjen time, veçanërisht në krijimin e kushteve dinjitoze të punës në këtë agjenci”, ka theksuar Selimi.

(M.K / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Problemet e bizneseve me bankat komerciale, e me theks të…