Selmani: Në Drenas kërkojmë tri pikët e plota

29 tetor 2021 | 11:20

Futbollisti Kastriot Selmani ka paralajmëruar fitore në ndeshjen kundër Feronikelit e cila zhvillohet në fundjavë në kuadër të javës së dymbëdhjetë.

 

Skuadra e Llapit në xhiron e kaluar në BKT Superligën e Kosovës në futboll pësoi humbje nga Drita (1-3), por në mesjavë e fitoi Superkupën “Kosovë – Diasporë”, pasi e mposhti FC Kosova Dusseldorf me rezultat 2-0. Ndeshjen e radhës skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina e zhvillon të shtunën në Drenas kundër Feronikelit, derisa të enjten për “Epokën e re”, Kastriot Selmani, ka folur rreth kësaj ndeshje. Ai ka thënë se Llapi nuk ka hapësirë më për gabime dhe në këtë ndeshje është opsion vetëm fitorja. “Synimet ndaj Feronikelit padyshim që do të jenë vetëm tri pikët e plota, sepse ne nuk duhet të lëshojmë pikë në ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Selmani.

Llapi nuk e nisi në mënyrën më të mirë edicionin 2021/22, por Selmanaj është optimist se kjo skuadër në fund të kampionatit mund të fitojë trofe. “Them të drejtën, nuk jemi të kënaqur me rezultatet në këto xhiro sepse kemi pretenduar pjesën e lartë të tabelës dhe kemi lëshuar shumë pikë. Do të luftojmë deri në fund që ta fitojmë titullin e kampionit. Kampionati ende është i gjatë”, ka deklaruar ai.

Futbollisti që po kalon nëpër një formë të jashtëzakonshme ka kontratë me skuadrën llapjane deri në qershor të vitit të ardhshëm. Ai ka bërë me dije se është ende pa ndonjë plan rreth të ardhmes, pasi është i fokusuar vetëm në rezultatet e klubit.

“Kontrata me Llapin më skadon në qershor dhe për momentin jam i fokusuar vetëm te skuadra e Llapit në kampionat, pastaj do të shikojmë”, ka shtuar Selmani. Skuadra e Llapit aktualisht pozicionohet në vendin e shtatë me 12 pikë, duke regjistruar tri fitore, tri barazime dhe pesë humbje.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëntë pacientë nga Shqipëria po vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor…