Senatorja Ernst: Ka mënyra konkrete për zhvillimin ekonomik dhe përkrahjen e bizneseve në Kosovë

05 korrik 2021 | 11:02

Senatorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga shteti i Iowas, Joni Ernst, ka thënë se ekzistojnë disa mënyra konkrete për ta avancuar zhvillimin ekonomik dhe bizneset në Kosovë.

Ernst në vizitën e saj në Kosovë është takuar me përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, ku ka theksuar mundësinë e bashkëpunimit të Kosovës me shtetin e Iowas në fushën e bujqësisë.

“Ekzistojnë mënyra konkrete për avancimin e zhvillimit ekonomik dhe përkrahjen e bizneseve në Kosovë. Është me rëndësi të synohen fushat me mundësi më të mëdha për bashkëpunimin e zgjeruar ndërmjet Iowas dhe Kosovës, siç është bujqësia”, ka thënë senatorja Ernst.

Ajo është shprehur e lumtur që është kthyer në Kosovë dhe që mund t’i shpërndajë propozimet e saj lidhur me mënyrat se si shteti prej nga ajo vjen mund ta ndihmojë Kosovën përtej bashkëpunimit ushtarak.

Në këtë kontekst, ajo ka thënë se përveç ekonomisë mund të bashkëpunohet edhe në fushën e edukimit.

Derisa ka folur për zhvillimin e fuqisë punëtore, ajo ka theksuar rëndësinë e programeve të kualifikimeve profesionale për nxënësit, si alternativë ndaj titujve universitarë, duke përmendur suksesin e programeve të tilla në Iowa.

Më tutje, Ernst ka theksuar se si këto programe përgatisin të rinjtë për tregun e punës, duke krijuar ndërlidhje më të mirë ndërmjet zhvillimit të shkathtësive me nevojat e punëdhënësve.

Lidhur me klimën e investimeve në Kosovë, Ernst ka thënë se ka shumë njerëz të cilët do të kishin vullnet për të investuar dhe për t’u angazhuar në Kosovë. Megjithatë, ajo ka thënë se investitorët kanë nevojë të sigurohen për një sistem të fuqishëm ligjor, të mbështetur nga respektimi i demonstruar për sundimin e ligjit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zgjedhja e Memli Krasniqit në krye të Partisë Demokratike të…