Serbët në veri nuk paguajnë faturat e rrymës, KMDLNj fton qytetarët të protestojnë

10 korrik 2019 | 15:04

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) përmes një reagimi për media ka theksuar të mërkurën se që nga përfundimi i luftës përkatësisht nga viti 1999 e deri në vitin 2018, qytetarët e Kosovës, joserbë kanë qenë të detyruar të paguajnë për rrymën e shpenzuar nga serbët e veriut dhe, mbase edhe për shpenzimet tjera siç janë faturat për ujë, ngrohje, mbeturina etj., ndërkaq që tatimin për pronë nuk e kanë paguar kurrë.

“Operatorët për prodhim dhe distribuim të rrymës në Kosovë, më herët KEK-u dhe tash KEDS-i në mënyrën më kriminale të mundshme, tinëzisht kanë plaçkitur paguesit e rregullt të rrymës së shpenzuar, e që më shumë se 93 për qind kanë qenë shqiptarë, në mesin e të cilëve një përqindje e madhe kanë qenë raste sociale, duke ua ngarkuar faturat edhe me shpenzimet që i kanë bërë serbët e katër komunave në veri të Kosovës”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj-ja ka theksuar se edhe pas vendimit të Gjykatës së Apelit, serbët e veriut edhe më tutje refuzojnë të paguajnë faturat për rrymë dhe shërbimet e tjera.

“Pas reagimeve të shumta të qytetarëve të plaçkitur, të KMDLNj-së dhe të Avokatit të Popullit, Gjykata e Apelit mori vendim që të ndërpritet kjo lloj abuzimi dhe hajnie institucionale ndërkaq Qeveria e Kosovës premtoi se do të kompensohen qytetarët e dëmtuar për më shumë se 17 vite e që deri më tani nuk janë kompensuar. Serbët e veriut të Kosovës edhe më tutje refuzojnë të paguajnë faturat për rrymë dhe shërbime tjera ndonëse buxheti i Kosovës dëmtohet për më shumë se 12 milionë euro në vit. Shteti i Kosovës nuk vepron në veri në ndërkohë që edhe për borxhin më të vogël të faturës për rrymë të shpenzuar, KEDS-i përmes përmbaruesve ua bllokon llogaritë bankare edhe kategorive sociale”, thuhet në këtë reagim.

Sipas KMDLNj-së, KEDS-i përveçse i shkyç nga rrjeti i furnizimit ata që nuk e paguajnë rrymën në afatin e paraparë, por, për rikyçje e inkason edhe një taksë shtesë në formë të gjobitjes.

“Një pjesë e kriminalizuar e ndërkombëtarëve, në partneritet me një pjesë të kriminalizuar të politikës kosovare ka kontribuar në forcimin dhe mirëmbajtjen e strukturave kriminale serbe në veri ndërkaq që roli i Serbisë në aktivitete kriminale nuk është penguar me asgjë, madje është inkurajuar nga ndërkombëtarët në emër të normalizimit të raporteve me Serbinë. Ligjet e Kosovës si dhe Kushtetuta e saj garantojnë barazi dhe trajtim jodiskriminues për të gjithë qytetarët e saj e që në rastin konkret diskriminimi është aq flagrant e që nuk ndodhë në asnjë vend të botës. Për shpenzimet e bëra duhet të vlejnë standardet e njëjta, atë që shpenzoni, duhet edhe të paguani pa bërë dallime në baza etnike, fetare, gjinore, moshore, racore, bindjeve politike etj. Pse shqiptarët dhe joserbët duhet të paguajnë ndërsa serbët nuk paguajnë kurrë dhe asgjë në ndërkohë që ndaj tyre nuk vlen orari i reduktimeve?!”, është thënë ndër të tjera në këtë reagim.

KMDLNj-ja ka bërë thirrje që qytetarët e Kosovës në mënyrë të organizuar duhet të kundërshtojnë këtë diskriminim dhe vendosje të standardeve të dyfishtë duke protestuar dhe duke kërkuar trajtim të barabartë.

“Institucionet e Kosovës duhet të dëshmojnë se janë shtet dhe se nuk pranojnë që serbët të sillen në këtë mënyrë. Ndryshe, eskalimi i situatës në Kosovë, fillimisht i natyrës sociale duhet dhe do të jetë i pashmangshëm e që pastaj do të përcillet me destabilizim politik dhe situatës së sigurisë”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në futbollin kosovar shpeshherë ndodhin gjëra të pazakonta. Një ndër…