Serbia e varur nga gazi rus – cilat janë alternativat e furnizimit?

17 janar 2021 | 21:30

Serbia aktualisht është plotësisht e varur nga gazi rus. Ndërsa arrin të plotësojë vetëm 13 për qind të nevojave nga prodhimi vendas, sipas të dhënave të Agjencisë së Energjisë, pjesën tjetër Serbia e importon ekskluzivisht nga Federata Ruse.

Ndërkohë, në fillim të vitit, Serbia ndërmori hapat e parë drejt diversifikimit të burimeve të furnizimit me gaz, gjë që mundëson konkurrencën në treg, sigurinë e furnizimit dhe pavarësinë energjetike.

Siç deklaron ministrja serbe e Minierave dhe Energjisë (ME), Zorana Mihajloviq kjo do të mundësonte uljen e çmimeve të gazit për qytetarët dhe bizneset.

“Unë vetëm do t’ju kujtoj se çmimi i gazit natyror në Serbi sot është më i larti në Evropë. Kjo është pikërisht sepse kemi vetëm një burim të hyrjes së gazit dhe se çmimi është ashtu siç është” tha Mihajloviq për REL.

Tubacioni i gazit Serbi – Bullgari

Kapaciteti: 1.8 miliard metra kub në vit
Vlera e projektit: 85.5 milion euro
Burimi i gazit: Gaz natyror i lëngshëm (LNG) nga Greqia nga disa furnizues

Më 11 janar, Ministria serbe e Minierave dhe Energjisë njoftoi për hapjen e tenderit për mbikëqyrjen e projektit të ndërlidhjes së gazit Serbi – Bullgari, i cili ishte hapi i parë në përgatitjen për fillimin e ndërtimit të një tubacioni të ri gazi.

Sipas ME-së, fillimi i ndërtimit të tubacionit të gazit është planifikuar në tremujorin e fundit të vitit 2021 dhe kohëzgjatja e pritshme e punimeve është 21 muaj.

“Realizimi i projektit siguron jo vetëm diversifikimin e rrugëve, por edhe diversifikimin e furnizuesve të gazit”, thekson ME.

Kapaciteti i planifikuar i tubacionit të gazit Nish – Dimitrovgrad është 1.8 miliardë metra kub në vit dhe vlera e përgjithshme e vlerësuar e investimit të projektit është 85.5 milionë euro. Financimi do të sigurohet nga Fondet e Para-pranimit të Bashkimit Evropian (IPA) dhe një hua nga Banka Evropiane e Investimeve.

“Gazi do të jetë në gjendje të bartet nga terminali i gazit të lëngshëm natyror (LNG) nga Greqia, prodhues të ndryshëm dhe nëse ka kapacitet të shtesë, nga tubacioni i gazit TAP nga Azerbajxhani”, tha Ministria e Energjisë, duke shtuar se, “në të ardhmen do të jetë e mundur të përdoret gazi nga Mesdheu Lindor”.

Bashkimi Evropian mbështeti këtë projekt në shumën prej 49.6 milionë euro, ndërsa një kredi prej 25 milionë euro ishte siguruar nga Banka Evropiane e Investimeve.

Nga ana tjetër, Bullgaria mori një grant prej 27.6 milionë euro nga Komisioni Evropian për ndërtimin e tubacionit në territorin e saj.

“Gazsjellësi do të mundësojë një rrugë të re për furnizimin jo vetëm të Serbisë, por edhe të Bosnjës e Hercegovinës. Të tre vendet, aktualisht varen ekskluzivisht nga një furnizues i gazit”, thekson Komisioni Evropian.

Projekti, siç thonë ata, është duke u zhvilluar nga ndërmarrja publike “Srbijagas” dhe operatori bullgar i gazit TSO “Bulgartransgaz”.

Sa i përket gazit që do të kaloj në Serbi nga ai tubacion, Komisioni Evropian deklaron se, “mund të jetë çdo gaz që është i disponueshëm në Bullgari”.

“Mund të jetë gaz rumun, duke qenë se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë midis Rumanisë dhe Serbisë, mund të jetë gaz natyror (LNG) nga disa burime që do të importohen në Bullgari përmes Greqisë ose Turqisë”, shpjegon Komisioni Evropian.

Ndërlidhja e gazit Serbi – Bullgari është pjesë e një iniciative më të gjerë të BE-së, i njohur si Korridori Jugor i Gazit, që synon të zvogëlojë varësinë e Evropës nga gazi rus.

Burimi kryesor i furnizimit do të ishte fusha e gazit “Shah Deniz” e vendosur në Detin Kaspik, në territorin që i përket Azerbajxhanit. Gazi duhet të shkojë nga Azerbajxhani në Evropë përmes pjesëve të tubacionit të gazit të Kaukazit Jugor, Trans-Anadoll dhe Trans-Adriatik.

Tubacioni i gazit i Mesdheut Lindor

Gjatësia: rreth 1,200 kilometra
Burimi i gazit: Izrael

Sipas ministres Mihajloviq, kur do të jetë gati tubacioni me Bullgarinë, Serbia në të ardhmen mund të bashkohet me atë të Mesdheut Lindor. Është një projekt i mbështetur nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rruga e gazsjellësit do të kalonte nga Izraeli, përmes Qipros, ishullit grek të Kretës, gadishullit grek të Peloponezit, pastaj përmes Athinës dhe Selanikut për në Sofje në Bullgari, deri në Nish në Serbi.

“Kur flasim për gazin, Nishi duhet të jetë qendra për gazin, ne gjithashtu mund të bëjmë një tubacion të gazi për në Prishtinë dhe Mal të Zi, ashtu si mund të bëjmë një tubacion nga Vranja për në Maqedoninë e Veriut”, thotë Mihajloviq.

Sipas saj, projekti është në fazën studimit, ndërsa ndërtimi mund të fillojë për disa vjet.

Tubacioni ekzistues i gazit Serbi – Hungari

Kapaciteti: 5 miliardë metra kub në vit
Nuk përdoret: Deri 2.5 miliardë metra kub
Burime alternative të gazit: Norvegji, SHBA, Holandë

Para ndërtimit dhe vënies në punë të Rrjedhës Ballkanike, gazi sillej nga Rusia përmes infrastrukturës ekzistuese, përkatësisht përmes Ukrainës dhe Hungarisë. Kapaciteti i këtij tubacioni gazi është 5 miliardë metra kub dhe ai është akoma në funksion.

Gazpromi rus dhe kompania publike Srbijagas kanë monopol në këtë tubacion, kështu që vetëm gazi nga Rusia rrjedh përmes tij dhe është praktikisht i paarritshëm për pjesëmarrësit e tjerë të tregut.

Nga ana tjetër, siç thekson Janez Kopac, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, pothuajse gjysma e këtij tubacioni gazi nuk përdoret.

“Ndërlidhja midis Hungarisë dhe Serbisë pranë Horgoshit [kufiri midis dy vendeve] ka një kapacitet prej 5 miliardë metra kub gaz krahasuar me konsumin serb prej 2.5 deri në 3 miliardë metra kub gaz. Ai tubacion i gazit është gjysmë i zbrazët”, thotë Kopac.

Ai vuri në dukje se Serbia mund të importojë gaz nga Norvegjia, Shtetet e Bashkuara ose Holanda përmes këtij tubacioni.

Çfarë burime të gazit po përdor aktualisht Serbia?

Me vënien në punë të tubacionit Rrjedha Ballkanike në ditën e parë të 2021-së, Serbia u bashkua me tubacionin e gazit Rrjedha Turke – Ruse.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Minierave dhe Energjisë të Serbisë, deri më 14 janar, 80 milionë metra kub gaz janë bartur nga ai tubacion.

Sipas zëvendësdrejtorit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Dirk Bushle monopoli i Gazpromit rus në tregun serb “do të forcohet në të paktën 20 vjet” me tubacionin e ri të gazit.

Pjesa e tubacionit Rrjedha Turke – Ruse në Serbi, nga Zajeqari – jo shumë larg kufirit me Bullgarinë deri në Horgosht në veri në kufirin midis Serbisë dhe Hungarisë – është 403 kilometra i gjatë. Ofron gaz rus përmes Turqisë dhe Bullgarisë. Sipas zyrtarëve, kapaciteti i tij është 15.75 miliardë metra kub gaz në vit.

Rrjedha Turke – Ruse është pjesë e ambicies afatgjate të Rusisë për të minimizuar transportin e gazit përmes Ukrainës, duke ndërtuar rrugë alternative, përveç Rrjedhës Turke – Ruse, Rrjedha Veriore I dhe II.

Në të njëjtën kohë, Rusia është duke “anashkaluar” Ukrainën, me të cilën ka një mosmarrëveshje të gjatë mbi territoret e kësaj të fundit. Rusia më parë ka përdorur gazin si një mekanizëm në marrëdhëniet e saj, kështu që Moska në disa raste ka ulur furnizimin me gaz në Kiev. /REL/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës…