Serbia në dy pamje: në mëngjes marshim për Ukrainën, në mbrëmje tubim pro rusëve

26 shkurt 2024 | 08:17

Disa qindra të djathtë pro-rusë u mblodhën në Beograd të shtunën, duke kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe duke përshëndetur përvjetorin e dytë të pushtimit rus të Ukrainës.

Tubimi i quajtur “Jo dorëzim i Kosovës” është mbajtur në përvjetorin e dytë të agresionit rus kundër Ukrainës. Organizata e paregjistruar ultra e djathtë “Narodna Patrola” bëri thirrje për tubim, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Kjo organizatë ka kaluar nga politika kundër emigrantëve dhe lidhjet me paraushtarakët rusë në dyshimet për përmbysjen e rendit kushtetues në protestën në Beograd.

Udhëheqësi i “Patrullës Popullore”, Damjan Knezheviq, tha se tubimi i dërgon botës një imazh se “është mirëpritur dyvjetori i operacionit special ushtarak rus” në Beograd.

Autoritetet ruse e quajnë pushtimin e Ukrainës një operacion special ushtarak.

“Ne nuk do ta çlirojmë Kosovën pa rusët dhe as rusët pa ne”, tha Knezheviq.

Tubimi u zhvillua me thirrjet “Rroftë Serbia, Rroftë Rusia”, “Rroftë Putini”, “Rroftë Lukashenko”. Gjithashtu u mbajt një flamur me shkronjën Z, një simbol i pushtimit rus të Ukrainës. Në tubim nuk kanë munguar edhe thirrjet “Nuk do ta japim Kosovën” dhe “Jo dorëzim dhe shitje”.

Tubimi u mbajt te monumenti i Carit rus Nikolla, i cili ndodhet përballë Presidencës së Serbisë, ku ndodhet zyra e Presidentit të Serbisë.

Në tubim u mbështet edhe lëvizja Dveri. Kjo lëvizje njoftoi më 23 shkurt se përkrah tubimin për mbijetesën e serbëve në Kosovë. Në zgjedhjet e dhjetorit, Dveri nuk e kaloi pragun e kërkuar për hyrje në Kuvendin e Serbisë.

Para mbledhjes së të djathtëve pro-rusë, në mëngjes u mbajtën dy mitingje në mbështetje të Ukrainës në Beograd.

Qytetarët u mblodhën në Parkun e Pionerit në qendër të Beogradit, nga ku u nisën në këmbë drejt Sheshit të Republikës. Në sheshin qendror të Beogradit, të mbledhurit ndezën qirinj dhe mbajtën një minutë heshtje për viktimat e agresionit rus në Ukrainë.

Në marshin e quajtur “Mbështesim Ukrainën”, u shfaqën flamujt e Ukrainës, Bashkimit Europian dhe mesazhet e paqes.

Në takim morën pjesë ambasadori i Ukrainës në Serbi Volodymyr Tolkach, Shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian Emmanuelle Giaufret, ambasadorja e Suedisë Annika Ben David, si dhe ambasadori i Britanisë së Madhe Edward Ferguson.

Serbia iu bashkua rezolutës së Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin e Rusisë në Ukrainë, por autoritetet në Serbi refuzojnë të vendosin sanksione ndaj Rusisë. Si shpjegim, ata përmendin lidhjet tradicionale ruso-serbe dhe interesat ekonomike.

Më 20 shkurt, presidenti serb Aleksandar Vuçiç i tha agjencisë ruse të lajmeve TASS se ka presion të madh nga Perëndimi ndaj Beogradit për të vendosur një embargo ndaj Rusisë.

“Ne do të mundohemi të mbrojmë pozicionin tonë sa më gjatë që të jetë e mundur. Këtë e bëjmë për dy vjet dhe shpresoj se do të mund të vazhdojmë kështu”, tha Vuçiq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë mbahet seanca përfundimtare ndaj…