Sërish gërmime në varrezat e Suhodollit, Gara: Bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion Serbisë

23 gusht 2022 | 16:01

Në njërën prej varrezave të fshatit Suhodoll në Mitrovicë, ku më parë ishin gjetur 14 trupa  kanë vazhduar sot për herë të tretë gërmimet në kërkim të një trupi të vrarë nga forcat serbe në luftën e fundit në Kosovë.

Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka bërë me dije për “Kosovapress” se është duke u punuar në kërkim të mbetjeve mortore të një viktime të luftës së fundit nga forcat serbe.

Sipas tij, janë rikthyer me punime sërish në këtë lokacion sepse hapësirat e varrezave janë përdorur nga forcat serbe për fshehjen e kufomave të viktimave shqiptare të luftës.

Ai ka thënë se rajoni i Mitrovicës është një prej rajoneve me numrin më të madh të viktimave dhe personave të zhdukur me forcë.

Në lidhje me vazhdimin e gërmimeve në Serbi, Gara ka thënë se gërmimet atje janë gjithmonë sfiduese për shkak të qasjes politizuese të institucioneve të Serbisë përballë këtij problemi.

Ai ka apeluar tek bashkësia ndërkombëtare për presion më të madh ndaj Serbisë, në mënyrë që Beogradi të jetë më bashkëpunues në këtë proces.

Ndërsa kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë, Bajram Çerkini, ka thënë se nga gjithsej 337 të pagjetur në Mitrovicë, 228 trupa janë gjetur, ndërsa vazhdohet të kërkohen edhe 109 trupa të tjerë.

Vlen të theksohet se përkundër gërmimeve nga orët e paradites, nuk është gjetur asnjë mbetje mortore në këtë lokacion, ndërsa punimet kanë përfunduar sa i përket ditës së sotme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nderimi dhe respekti për Luiza Gegën erdhi jo vetëm nga…