Sermaxhaj: Pres fitore ndaj Malit të Zi

13 tetor 2019 | 11:37

Analisti dhe trajneri i futbollit Genc Sermaxhaj ka thënë të premten për “Epokën e re” se paraqitja dhe fitorja ndaj Gjibraltarit ishte e bukur nga ana e Kosovës, derisa pret që e njëjta gjë të ndodhë edhe të hënën në kualifikuesen ndaj Malit të Zi.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e fitoi të enjten miqësoren ndaj Gjibraltarit (1-0). Analisti dhe trajneri i futbollit, Genc Sermaxhaj, ka thënë për “Epokën e re” se rëndësi ka fakti që Kosova luajti bukur edhe pse kishte shumë ndryshime në formacion. Sermaxhaj ka shtuar se rezultati 1-0 nuk ishte real për epilogun përfundimtar të kësaj ndeshje sepse “dardanët” kanë krijuar shumë raste dhe kanë dominuar ndaj kundërshtarit në të gjitha format.

“Kosova ndaj Gjibraltarit vazhdoi ecurinë e ndeshjeve të bukura e cilësore, ngjashëm si ndaj çdo kundërshtari tjetër, ani pse ishte në formacion me shumë lojtarë të tjerë që kanë pasur me pak minuta në fushë. E rëndësishme është mënyra e njëjtë e lojës edhe me lojtarët e tjerë dhe kjo tregon qartë se në përfaqësuese kushdo që luan duhet t’i kryejë detyrat e njëjta të cilat i kërkon trajneri Bernard Challandes. Pavarësisht se shënuam vetëm një gol, loja ishte e dominuar në të gjitha anët dhe njësoj duhet të vazhdojmë edhe ndaj Malit të Zi”, ka thënë Sermaxhaj.

Kosova ndeshjen e radhës e zhvillon të hënën ndaj Malit të Zi, e cila është e vlefshme për grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian.

Ish-reprezentuesi i Kosovës, Genc Sermaxhaj, është optimist se fitorja do t’i takojë Kosovës.

“Kjo ndeshje është e rëndësishme dhe duhen shfrytëzuar rastet që i sjell loja, futbollistët duhet të jenë më të koncentruar dhe të arrijnë fitore.
Presim të kthehen në lojë edhe lojtarët startues dhe të kompletohet ekipi për këtë ndeshje dhe të arrijmë fitore përmes lojës së bukur e shumë atraktive që Kosova ka aplikuar deri më tani. Besoj në fitoren e Kosovës. Gjithsesi duhet kujdes maksimal ngaqë futbolli sjell shumë të papritura shpeshherë”, ka shtuar Sermaxhaj.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Mal të Zi Kosova arriti të nxjerrë barazim (1-1), kurse tash llogaritet favorit për ndeshjen që e zhvillon në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku edhe pritet ta ketë përkrahjen e 13 mijë tifozëve. Aktualisht skuadra
përfaqësuese që drejtohet nga përzgjedhësi Bernard Challandes është e treta në grup me tetë pikë të grumbulluara.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, sot është…