Serwer godet Specialen: Dënimet nuk do ta përmirësojnë drejtësinë, përveç në Serbi

12 maj 2026 | 10:23

Në një analizë për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Bosnjë, analisti i njohur amerikan – njohës i mirë i Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë se dënimi eventual me burg i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “nuk do ta përmirësojë reputacionin e drejtësisë ndërkombëtare askund tjetër përveçse në Serbi”.

Ai ka shkruar në lidhje me raportin nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC), duke theksuar shkeljet e evidentuara nga ky dokument.

“Ajo që nuk thuhet është se një gjykatë që i ka kushtuar bashkësisë ndërkombëtare disa qindra milionë euro ka dështuar të japë drejtësi që përmbush standardet që kërkon populli i Kosovës. Zgjidhja për këtë nuk është e qartë për mua. Por dënimet dhe burgosjet e mëtejshme nuk do ta përmirësojnë reputacionin e drejtësisë ndërkombëtare askund tjetër përveçse në Serbi”, ka shkruar Serwer.

Eksperti amerikan ka listuar shkeljet nga raporti i BHRC-së, që kanë të bëjnë me: mbrojtjen në liri, të drejtën për një tribunal kompetent, të pavarur dhe të paanshëm, pranueshmërinë e provave, e sidomos atyre të pranuara nga qeveria serbe, si dhe parimin e barazisë së armëve mes prokurorisë dhe mbrojtjes.

Serwer dikur kishte qenë një përkrahës dhe kishte bërë thirrje që të votohej Gjykata Speciale.

Por, tash e një kohë ai është ndjerë pishman dhe këtë e ka konfirmuar sërish.

“Unë tashmë kam bërë një ‘mea culpa’ për rolin tim të vogël në nxitjen e kosovarëve që të krijonin Dhomat e Specializuara, të cilat ngritën aktakuza ndaj liderëve të UÇK-së pesë vjet më parë”, ka shkruar Serwer.

Në tetor të vitit të kaluar ai kishte vizituar Hashim Thaçin në qendrën e paraburgimit dhe kishte rrëfyer në pak pika bisedën me të dhe përshtypjet për procesin në tërësi. Aty ai kishte shkruar për devijimet që Specialja përjetoi rrugës, në veçanti, premtimin nga Bashkimi Evropian se do të shërbente për pretendimet për “trafikim organesh”, në një aktakuzë që nuk e përmend më këtë dhe gjykon krejt UÇK-në me doktrinën e “Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot, me fillim nga ora 11:00, në Fakultetin Filozofik të…