Shahini: Inflacioni mbetet sëmundja më e rëndë e ekonomisë së Kosovës, pakoja “Inflacioni 2.0” e padukshme në ekonomi

20 qershor 2026 | 13:08

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, në një prononcim për FrontOnline e ka vlerësuar se inflacioni vazhdon të jetë një nga problemet më serioze me të cilat po përballet ekonomia e Kosovës.

Sipas tij, inflacioni është shndërruar në një “sëmundje të rëndë” që ka prekur pothuajse të gjithë sektorët e jetës ekonomike dhe sociale në vend, duke ndikuar drejtpërdrejt në sektorin privat, atë publik, standardin jetësor të qytetarëve, rritjen e varfërisë dhe ngritjen e vazhdueshme të çmimeve.

‘’Inflacioni në Kosovë mbetet sëmundja më e rëndë në ekonominë e Kosovës, kancer me metastazë në të gjithë sektorët e jetës duke përfshirë sektorin privat, publik, standardin jetësor , varfërinë rritjen e çmimeve dhe uljen edhe më tutje të standartit të secilës familje’’, tha Shahini për FrontOnline.

Shahini kritikon institucionet për mungesë veprimesh konkrete në luftimin e inflacionit, duke vlerësuar se fokusi është vendosur më shumë te statistikat sesa te përmirësimi i gjendjes reale ekonomike. Sipas tij, ekonomia po përballet me rënie të prodhimit, investimeve dhe eksporteve, ndërsa varfëria po vazhdon të rritet.

Ai thotë se mungesa e strategjive efektive për zhvillimin ekonomik dhe frenimin e inflacionit ka bërë që Kosova të mbetet ndër vendet me normat më të larta të inflacionit në rajon.

‘’Qeveria e vendit po e injoron inflacionin duke paraqitur gjithmonë vetëm statistika të rritjes duke e ndarë ekonominë në statistika ekonomike , duke i bërë ato ashtu siç ata duan por realitet qëndron se rritja ekonomike në Kosovë është në rënie e varfëria në rritje , prodhimi është në rënie eksportet e investimet po ashtu dhe kjo është pasojë e mos gatishmërisë institucionale për të bërë hapa konkretë’’, tha Shahini.

Duke komentuar masën qeveritare “Inflacioni 2.0”, Shahini vlerëson se efektet e saj janë pothuajse të padukshme në ekonomi. Sipas tij, mekanizmat që do të mund të ndikonin në uljen e inflacionit nuk janë zbatuar në masën e nevojshme, gjë që ka ndikuar në nivelin e ulët të investimeve dhe prodhimit vendor.

Ai shton se rritja e importeve dhe importimi i inflacionit nga tregjet e jashtme po vazhdojnë të rëndojnë ekonominë e vendit, duke e bërë gjendjen ekonomike të Kosovës më të vështirë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

‘’Masa ‘’Inflacioni 2,0’’ e marrë nga qeveria është e padukshme në ekonomi pavarësisht tentimit ato janë ende larg luftës kundër inflacionit sepse mekanizmat që duhen marrë për të ndalë inflacionin Kosova pothuajse nuk i ka marrë asnjëherë parasysh dhe kjo ka bërë që investimet dhe prodhimet të jenë të ulëta, kemi rritje importi kemi edhe importe të inflacionit dhe kjo është që vërtetë vendi ynë është në gjendje të rëndë ekonomike krahasuar me vendet e Ballkanit perëndimor ‘’, përfundoi Shahini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NGA SHPRESA E MADHE E FUTBOLLIT SHQIPTAR DERI TE ELITA…