Shala reagon pas emërimit të Mikullovcit në krye të AKP-së

04 gusht 2021 | 14:54

Me debat e përplasje verbale mes deputetësh është përcjell mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku përkundër kësaj, u miratua lista e emrave të propozuar nga qeveria për emërimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Kryetari i komisionit, Ferat Shala ka thënë se është për emërimin e këtij bordi, porse tha se pikërisht tek kryesuesi i këtij bordi, Nazmi Mikullovci ka konflikt interesi.

Ndër ta është edhe Nazmi Mikullovci, i cili ka qenë kryesues i Komitetit për Industri në Lëvizjen Vetëvendosje.

E propozimin e Mikullovcit e ka kritikuar deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ish-drejtor i ‘Trepçës’, i cili ka thënë se në kohën sa Mikullovci ka punuar në ‘Trepçë’ është dëmtuar shumë kjo ndërmarrje. “Kandidati i propozuar ka punuar 7 vjet të plota në ndërmarrjen Trepça, periudhë që Trepça është dëmtuar shumë”, ka thënë pos tjerash Shala.

Ai më tej ka deklaruar se në periudhën e Mikullovcit, është harruar një minierë e tërë në Llap, kur janë bërë regjistrimet e aseteve pas luftës. “Aset i ‘Trepçës’, 5 kilometra korridore të hapura, një minierë e tërë e përgatitur për eksploatim dhe sot 25 vjet pas luftës, kemi probleme të mëdha juridike lidhur me këtë zonë. Vetëm ky fakt do të mjaftonte për qeverinë mos me na sjellë një pensionist që ishte menaxher në kohën e regjimit”, u shpreh Shala.

Ai tutje ka thënë se për dy javë e ka pasur këshilltar Mikullovcin, por se e ka shkarkuar më pas. “Shihe kur e ka dorëzuar detyrën në ‘Trepçë’, që unë e kam pranu, sa milion euro ka qenë Trepça, sa punëtorë ka pas, e kam gjetur me 30 mijë euro, me 1300 punëtorë, me 20 milion borxhe, e ka pru para falimentimit, një menaxher praktikisht në 2008 më i dështuari në nivel vendi, statistikat janë publike, arkivi ‘Trepçës’ ekzison. Ka qenë si menaxheri më i dështuar për 7 vjet menaxhim, për dy javë e kam pas këshilltar, kur e kam pa çka ka bërë, as këshilltar se kam mbajt”, ka thënë Shala.

Bashkë me Mikullovcin, për bordin e AKP-së janë propozuar edhe Syzana Dautaj- Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi- Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ky do të jetë bordi i fundit të AKP-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në vitin 2019 në Zvicër u mbajt festivali “Alba Festival”,…