Shatri: Pagesat për veteranët vazhdojnë derisa të merret vendimi përfundimtar

07 tetor 2018 | 10:12

Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se veteranët e UÇK-së, do të vazhdojnë të marrin pensionet deri në një vendim përfundimtar nga organet e drejtësisë.

Ai për “Ekonomia Online”, ka thënë se është padrejtësi pezullimi i pagesave përderisa nuk e vërteton drejtësia të kundërtën.

Shatri konsideron po ashtu se pensionet e veteranëve nuk e dëmtojnë buxhetin e vendit:

“Epiteti ‘veteran i rrejshëm’ nuk është adekuat. Ato lista që kanë qenë në fuqi deri sot, derisa një strukturë institucionale, një gjykatë nuk i verifikon dhe nuk i ndanë, nuk mund të konsiderohen as mashtrues e as përfitues të paligjshëm”.

“Buxheti për këtë kategori të njerëzve është i ndarë dhe vazhdon t’u paguhet dhe nuk e rrezikon asgjë buxhetin sepse ajo shumë e mjeteve është e ndarë në fillim të vitit dhe dihet sa janë të destinuara për këtë kategori dhe nëse ndodh me u bë një spastrim i listave në kohën e ardhshme atëherë normalisht që veprohet konform me këtë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Financave, Qeveria i bëjnë vendimet dhe veprimet adekuate”, shprehet Shatri.

Shatri dyshimet për veteranët i ka quajtur fushatë për ta dëmtuar Qeverinë e cila aktualisht udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

“E kam përshtypjen që më shumë është fushatë nga disa media për me njollos këtë kategori dhe me qit dyshime tek kjo qeveri. kjo qeveri aktuale që është prej shtatorit të vitit të kaluar as nuk e ka aprovuar këtë listë e as nuk mundet me seleksionua e as me u përzier në sektorin e drejtësisë”.

“Ne duhet të jemi korrekt me ju përmbajt ligjit dhe rregullat ku drejtësia  e thotë fjalën e vet, drejtësia merr vendime adekuate. nuk kem paragjykim. ju siguroj që kjo pagesë nuk e rrezikon buxhetin e as të ardhmen e vendit”, ka thënë Shatri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avdi Rexha është një 93-vjeçar nga Bujani i Tropojës. Mosha…