SHBA, 23 viktima nga tornadot në Alabama
Tornadot lanë pas një vazhdë shkatërrimi në kontenë Lee të Alabamës Lindore.
23 vetë, disa nga të cilët fëmijë, humbën jetën nga vorbullat e fuqishme të ajrit. Numri i viktimave, sipas autoriteteve, mund të rritet akoma edhe më shumë. Nuk dihet ende me saktësi sesa janë të plagosurit. E gjithë zona është bllokuar. Shërbimi meterologjik kombëtar e klasifikoi tornadon e parë si të paktën një EF3, që do të thotë se erërat e kanë mbërritur shpejtësinë 266km/h. Është e qartë se pasojat e një tornadoje të tillë janë shkatërrimtare.
Autoritetet kanë vlerësuar se ende po punojnë për të identifikuar viktimat dhe të plagosurit. Anëtarët e familjes kanë treguar se një prej viktimave ishte një djalë vetëm 8 vjeç, në qytetin Beauregard.
“Për aq sa unë mund të kujtoj, ne kurrë nuk kemi pasur ndonjëherë më parë një situatë si kjo. Në jetën time nuk kisha parë diçka të tillë”, është shprehur mjeku Bill Harris, banor i kontesë së goditur.
Qendra mjekësore në Alabamën Lindore ka njoftuar se po trajton mbi 40 të plagosur nga moti ekstrem dhe se pret akoma më shumë. Në të gjithë Alabamën, rreth 4 000 vetë kanë mbetur pa energji elektrike. Si të mos mjaftonte kjo e keqe, pas tornadove në rajon pritet një valë e re të ftohti me temperatura që parashikohet të bien ndjeshëm./tch/