SHBA dhe BE i japin përkrahje institucioneve në Strategjinë për sundimin e ligjit

31 janar 2022 | 14:23

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në bashkëkryesim me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, kanë mbajtur sot mbledhjen e parë të Komitetit Drejtues të Strategjisë për Sundimin e Ligjit në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Në takimin e këtij Komiteti, temë diskutimi ishte procesi tejet i rëndësishëm i zbatimit të strategjisë dhe planit të veprimit, dokument strategjik që nuk përfaqëson vetëm jetësimin e vizionit të reformës në drejtësi, por dokumentin konkret të konsolidimit të sistemit të drejtësisë në vend si rezultat i procesit të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit.

Derisa ka folur për rëndësinë e Strategjisë dhe planit të veprimit, ministrja Haxhiu ka thënë se vizioni kryesor i këtij dokumenti planifikues është kthimi i besimit të qytetarëve në drejtësi, për të cilin shtoi Haxhiu, duhet punuar pareshtur për arritjen e tij.

Nga ana tjetër, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj ka shprehur vlerësimin e tij për këtë strategji, aktivitetet e së cilës tha ai, janë adresuar dhe analizuar brenda KGJK-së.

Kryesuesi Zogaj u zotua se KGJK-ja mbetet e përkushtuar për bashkërendim të plotë me qëllim të zbatimit të tërësishëm të kësaj strategjie për të ofruar një drejtësi të barabartë dhe efikase për qytetarët dhe njëherit duke synuar objektivin kryesor, kthimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë për të cilat zotime, shtoi ai, KGJK-ja do të jetë mbështetës i fuqishëm si institucion dhe i përgjegjshëm për zbatim të kësaj strategjie.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku ka thënë se procesi i rishikimit funksional të rishikimit të sektorit të sundimit të ligjit është një ndër proceset më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë, nga i cili proces edhe derivon kjo strategji, për të cilën janë të përkushtuar për zbatimin e mëtutjeshëm të saj. “Me qëllim që të kemi një sistem drejtësie të pavarur, transparente dhe efikase”, ka pohuar ai.

Përfaqësuesi nga Ambasada Amerikane Michael W Grant në fjalën e tij i ka përgëzuar përfaqësuesit e institucioneve për punën e bërë, duke shtuar se SHBA-të mbetet e përkushtuar që të ofrojnë mbështetje të vazhdueshme për implementimin e plotë dhe të suksesshëm të Strategjisë dhe Planit të Veprimit.

Gjithashtu, ai i bëri thirrje qeverisë që të ofrojë burimet e nevojshme për zbatim të aktiviteteve që dalin nga plani i veprimit dhe të ekzistojë bashkëpunimi në mes akterëve përkatës për zbatimin e strategjisë.
Përfaqësuesja nga Zyra e BE-së në Kosovë, Annemarie Douwes ka theksuar se BE-ja e mirëpret zbatimin e Strategjisë dhe planit të veprimit e cila është bazë për modernizimin e sektorit të sundimit të ligji dhe për këtë BE-ja e ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështes zbatimin e saj përmes projekteve apo aktiviteteve të ndryshme.

Për rëndësinë e kësaj Strategjie ka folur edhe përfaqësuesi nga Presidenca, Artan Murati, i cili njoftoi të pranishmit që në Samitin për Demokraci të organizuar nga presidenti Biden, është diskutuar edhe zbatimi në përpikëri i kësaj strategjie.

Ndër të tjera, në këtë mbledhje u votuan funksionalizimi i organit koordinues ndërinstitucional si dhe anëtari i këtij Komiteti nga radhët e Shoqërisë Civile, Labinot Leposhtica, BIRN.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja kosovare, Beatrix Ramosaj pas largimit nga “Big Brother VIP”,…