ShBA-ja do t’i strehojë 100 000 refugjatë ukrainas

31 mars 2022 | 10:55

Derisa Shtetet e Bashkuara po përgatiten të pranojnë rreth 100 mijë refugjatë nga Ukraina, pas pushtimit rus, komunitetet ekzistuese në qytetet si Sakramento dhe Sietëll po mobilizohen për të siguruar ushqim, strehim dhe mbështetje për ata që ikin nga lufta.

Qeveria federale nuk ka thënë se kur do të fillojë procesi zyrtar i zhvendosjes, por grupet ukrainase në SHBA tashmë po ofrojnë mbështetje për njerëzit që hyjnë në këtë vend përmes kanaleve të tjera.

“Asnjë refugjat nuk po pret që ju të jeni gati për ta”, tha Eduard Kislyanka, pastor i lartë në një kishë në Sakramento, e cila ka dërguar ekipe njerëzish në Poloni – shtet në kufi me Ukrainën – dhe ka përgatitur dhjetëra familje për të strehuar njerëzit që mbërrijnë në Kaliforni.

Qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, mbi 4 milionë njerëz vlerësohet të kenë ikur nga Ukraina dhe miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha javën e kaluar se SHBA-ja do të pranojë deri në 100,000 refugjatë ukrainas dhe se do të ofrojë 1 miliard dollarë ndihmë humanitare për vendet e prekura nga eksodi.

Qeveria federale nuk ka dhënë ende një afat kohor për rivendosjen e refugjatëve.

Shumë nga ata që arrijnë në Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të shkojnë në qytete që tashmë kanë komunitete të mëdha ukrainase.

Sipas të dhënave zyrtare, në Sakramento jetojnë rreth 18 mijë ukrainas.

Sakramento ka qenë një destinacion për ukrainasit që nga fundi i viteve 1980 dhe fillimi i viteve 1990, kur shumë nga ata që ishin të krishterë, përfituan nga një ligj i SHBA-së që ofronte hyrje për këdo që i shpëtonte persekutimit fetar në ish-Bashkimin Sovjetik.

Një valë tjetër refugjatësh kishte ndodhur edhe pas pushtimit të pjesshëm rus në Ukrainë, më 2014.

“Është shumë e lehtë kur vjen këtu. Çdoherë është e hapur për ju”, tha Oleksandra Datsenko, e cila u zhvendos në SHBA gjashtë vjet më parë dhe punon si kamariere në një restorant rus në periferi të Sakramentos.

Valeriy Goloborodko emigroi nga Ukraina në vitin 2006 dhe u vendos me gruan e tij në zonën e qytetit Sietëll, raporton AP.

“Komuniteti ukrainas në Uashington më ndihmoi të ndihesha si në shtëpinë time – dhe kjo është shtëpia ime tani”, tha Goloborodko.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryetari i…