ShBA-ja nis dëbimet masive të migrantëve nga Haiti

20 shtator 2021 | 11:25

Autoritetet amerikane filluan dëbimin e mijëra qytetarëve të Haitit nga qyteti kufitar i Teksasit, Del Rio.

Shumë prej tyre u grumbulluan nën një urë atje, pasi kaluan nga Meksika.

Mbi 320 migrantë u kthyen me tre aeroplanë në kryeqytetin e Haitit të dielën mbrëma.

Autoritetet amerikane thanë se planifikojnë të dëbojnë më shumë se 12,000 migrantë nga Haiti.

Agjentët e kontrollit kufitar gjithashtu kërkuan të mbyllin pjesë të kufirit për të parandaluar kalimet e reja përmes lumit Rio Grande, i cili ndan Meksikën dhe Shtetet e Bashkuara.

Meksika tha se do të fillojë po ashtu dëbimin e haitianëve në vendlindjen e tyre.

Këto zhvillime vijnë pasi politikat e presidentit amerikan, Joe Biden, për migracionin u kritikuan ashpër nga kundërshtarët e tij republikanë, por edhe disa demokratë.

Sipas republikanëve, Biden krijoi valë të re migrimi, pasi në fund të korrikut lëshoi një urdhër që lejonte migrantët nga Haiti – pa viza amerikane në atë kohë – të qëndrojnë në SHBA.

Ky urdhër, megjithatë, nuk vlente për migrantët e rinj.

Mbi 50 demokratë, në anën tjetër, i bënë thirrje Bidenit që t’i ndalojë dëbimet në Haiti, duke përmendur shqetësimet humanitare.

Haiti është ende duke luftuar pasojat e një tërmeti të madh që la më shumë se 2,000 njerëz të vdekur dhe mijëra të tjerë të pastrehë, si dhe pasojat e vrasjes së presidentit të vendit, Jovenel Moise, në muajin korrik./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi e mposhti Valencian me përmbysje (2-1), kurse trajneri…