ShBA-ja shënon 247-vjetorin e Pavarësisë, Kosova e uron dhe e falënderon për përkrahje

04 korrik 2023 | 14:36

Më 4 Korrik të vitit 1776, ShBA-ja shpall pavarësinë e saj.

Kongresi Kontinental miratoi bashkërisht Deklaratën e Pavarësisë, një dokument përmes së cilit kolonitë amerikane njoftuan shkëputjen nga Britania e Madhe.

Në 247 vite shtetësi, ShBA-ja arriti të kthehet në vendin më të fuqishëm të botës.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeff Hovenier ka uruar ditën e Pavarësisë së ShBA-së.

Hovenier ka thënë se në këtë ditë, 247 vjet më parë themeluesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar të drejtat e patjetërsueshme.

“Sot, amerikanët në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë globin festojnë Ditën e Pavarësisë së kombit tonë. Në këtë ditë 247 vjet më parë, themeluesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaruan të drejtat e patjetërsueshme të jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë”. Gëzuar 4 Korrikun!”, ka shkruar Hovenier në “Twitter”.

ShBA-në për këtë ditë e kanë uruar edhe udhëheqësit e shtetit të Kosovës dhe liderët e partive opozitare, shkruan “Epoka e re”.

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se aleanca me ShBA-në është e përjetshme. “ShBA-të festojnë plot 247 vite vlera demokratike të shtetit dhe popullit amerikan. Janë burim frymëzimi për botën demokratike. Jetësojnë vizionin më të fuqishëm të lirisë dhe barazisë. Vizion dhe vlera të përbashkëta që përbëjnë edhe themelin e aleancës së shteteve e kombeve tona. Ashtu si ai vizion është i përjetshëm, po ashtu është edhe aleanca e jonë. Gëzuar 4 Korrikun!”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka theksuar se Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës shënonte fitoren në ardhje jo vetëm për popullin amerikan, por edhe për të gjithë botën, e cila do të futej në procesin e gjatë dhe të pakthyeshëm drejt vlerave universale që promovoi ajo deklaratë pavarësie dhe që kultivuan institucionet amerikane të ngritura mbi ato themele.

“Gëzuar 4 Korrikun, kombit amerikan, gjithë botës demokratike dhe atyre që përkasin në vlerat e saj!”, ka shkruar Konjufca në “Facebook”.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se përpjekjet tona për çlirim dhe pavarësi u finalizuan suksesshëm me ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer të ShBA-së.

“Me diplomaci të përkushtuar, politikë të vendosur dhe angazhim të vazhdueshëm, ShBA-të u bënë zëri i drejtësisë për popullin e Kosovës. Para, gjatë dhe pas luftës për liri. Edhe sot e kësaj dite!. PDK mbetet tejet e përkushtuar në ruajtjen dhe forcimin e miqësisë dhe aleancës së shenjtë mes popujve dhe shteteve tona. Gëzuar 4 Korrikun!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka uruar ShBA-në për ditën e pavarësisë. “Në kohët më të vështira ShBA-të mbështetën Kosovën falë vizonit politik e largpamës të Presidentit Rugova i cili krijoj urat e komunikimit me Amerikën dhe i artikuloj ato në mënyrën më të mirë të mundshme në funksion të lirisë dhe shtet-formimit të Kosovës. Për këtë u jemi mirënjohës përherë! Urime Dita e Pavarësisë ShBA!”, është thënë në urimin e LDK-së.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në këtë ditë ka thënë se ShBA-ja është inspirim për popullin e Kosovës. “Amerikë, urime ditëlindjen! Je gjithmonë inspirim për ne. Do të ishte në nderin e Kosovës që 4 Korriku të shpallet festë shtetërore”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Në rrjetet sociale qytetarë të shumtë kanë uruar ShBA-në për 247-vjetorin e Pavarësisë, duke e falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme që kanë dhënë për Kosovën. / Epoka e re

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dështuar të zhvillojë auditimin…