SHBA-Kore e Jugut, stërvitje e përbashkët ushtarake

05 nëntor 2018 | 11:22

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut këtë të hënë kanë nisur një stërvitje ushtarake të shkallës së vogël, disa ditë para takimit të planifikuar të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, me zyrtarë koreano-veriorë në Nju Jork.

 Programi i Marinës koreane për shkëmbim ka qenë pjesë e stërvitjeve të pezulluara në muajin qershor, pasi presidenti amerikan Donald Trump pati premtuar ndalimin e stërvitjeve ushtarake, pas mbajtjes së samitit me kreun koreano-verior Kim Jong-un në Singapor.

Stërvitjet e mëdha vazhdojnë të jenë të pezulluara, mirëpo Uashingtoni dhe Seuli kanë vazhduar të realizojnë stërvitje të përbashkëta të shkallës më të vogël.

Në stërvitjet e tanishme janë duke marrë pjesë 500 marinsa amerikanë dhe koreano-jugorë, afër qytetit Pohang. Ministri koreano-jugor i Mbrojtjes ka thënë se Seuli dhe Uashingtoni do të vendosin para përfundimit të vitit, nëse do të realizojnë stërvitje masive ushtarake vitin e ardhshëm.

Ndërkohë, Pompeo ka thënë për televizionin “CBS” se, në ditët e ardhshme do të takohet me homologun e tij koreano-verior, Kim Yong-chol, për të diskutuar kërkesat amerikane për denuklearizimin e Penianit, si dhe për plane të tjera, duke përfshirë mbajtjen e një samiti të dytë mes udhëheqësve të të dyja shteteve.

“Shpresoj se do të arrijmë përparim, duke përfshirë përpjekjet për t’u siguruar se do të ndodhë një samit i dytë mes dy udhëheqësve, ku mund të shtyjmë përpara çështjen e denuklearizimit”, ka deklaruar ai.

Trump dhe Kim Jong-un patën bërë zotime të mëdha në aspektin e denuklearizimit të gadishullit Korean, por që nga mbajtja e samitit është arritur pak përparim./tch/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Punëtorët e ndërtimit në Gjeorgji kanë pasur një surprizë ‘drithëruese’…