![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2024/12/01.jpg)
Shënohet Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit, mërgimtari Bujar Neziri nderohet me çmimin kryesor “Përfaqësuesi i diasporës më përkrahës i vitit”
Sot në KINO ARMATA në Prishtinë është shënuar Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit, e cila më datën 5 dhjetor, shënohet në gjithë botën. Në këtë konferencë të organizuar për mrekulli nga organizata TOKA janë ndarë mirënjohje për persona që promovojnë dhe kontribuojnë në vullnetarizmin kudo që janë. Në këtë konferencë i pranishëm ishte edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Gjatë konferencës së Vullnetarizmit të Vitit, të pranishmit u informuan për vlerësimin e komisionit të caktuar për të shpallur fituesin e çmimit “Përfaqësuesi i diasporës më përkrahës i vitit”, mërgimtarin Bujar Nezirin, i cili ka dhënë një kontribut të veçantë në ngritjen e objektit për persona me aftësi të kufizuara në komunën e Ferizajt. Z. Neziri njëherit është edhe President i klubit fubollistik “FC Kosova Duseldorf” në Gjermani. Donancionin të cilën e ka marrë mërgimtari Bujar Neziri, ia ka dhuruar shoqatës Handikos të Ferizajt. Kujtojmë që z. Neziri me punën e tij dhe angazhimin e pashoq dhe duke mos e kursyer as veten ka mbledhur mbi 200 mijë euro për ndërtimin e objektin në Ferizaj për këtë kategori të shoqërisë.
Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit është ditë e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme OKB-së më vitin 1985, dhe u dedikohet të gjithë atyre vullnetarëve të shumtë anembanë botës, të cilët sakrifikojnë interesat e tyre personale, në interes të shoqërisë dhe komunitetit.
Pikërisht për këtë arsye është lansuar fushata vjetore si dhe ngjarja e ndarjes së Çmimeve të Vullnetarizmit të Vitit me synim mirënjohjen, promovimin dhe zgjerimin e pjesëmarrjes në vullnetarizëm.
Kjo fushatë ka përfshirë të gjithë të rinjtë, komunat, shkollat, bizneset, përfaqësuesit e diasporës dhe figurat publike, të cilët kontribuojnë në komunitet në forma të ndryshme, me fokus të veçantë në kontributin përmes punës vullnetare.