Sheshi ’81 dhe dy shtatore në Prishtinë

02 prill 2020 | 13:12

Shkruan: Musli Krasniqi

Në këto ditë të vlimeve të mëdha politike e në rrethana pandemike, çdo temë tjetër që trajtohet, mund të duket e paqëlluar e rrjedhimisht edhe të mos e marrë vëmendjen e duhur të publikut.

Megjithatë, data e zhvillime të rëndësishme historike, përcaktuese për procese me peshë të madhe kombëtare, nuk duhet dhe nuk mund të lihen pa u rikujtuar e shënuar, të paktën në përvjetorë.

Një bashkim tradicional familjarësh, bashkëveprimtarësh e qytetarësh të tjerë, çdo 2 prill, në vendin ku po në këtë datë të vitit 1981, në ballë të demonstratës gjithëpopullore ranë dëshmorët Naser Hajrizi e Asllan Pireva, sivjet, për herë të parë, u bë i pamundur për shkak të situatës pandemike.

Demonstratat e vitit 1981, sikurse edhe ngjarje të tjera të rëndësishme në historinë tonë, në mesin e studiuesve, publicistëve, analistëve, gazetarëve, apo edhe njerëzve të politikës e të publikut të gjerë, kanë mbështetësit e tyre, por gjithashtu edhe kundërshtarët, mospajtuesit apo edhe stigmatizuesit.

Lëvizja kombëtare e kohës, rezultat i punës, aktivitetit dhe angazhimit të të cilës ishte dhe ky shpërthim popullor, jo rrallë herë është goditur e vazhdon të goditet, si në qëllim, ashtu edhe në rezultate, kryesisht nga eksponentë të ish-pushtetit jugosllav dhe mbështetës të tyre.

Pretendimet se demonstratat e vitit 1981 i bënë dëm kauzës së avancimit të statusit të Kosovës në Jugosllavi, i ka demantuar vetë historia e mëvonshme.

Çfarëdo arritje politike e Kosovës gjatë kësaj periudhe, do të fashitej dhe do të binte në pikën zero në vitet 1989-1990, jo për fajin e saj, por se të tilla ishin projeksionet e qarqeve serbomëdha në Beograd, të cilat ishin konsoliduar në udhëheqjen e Serbisë e të Jugosllavisë, me në krye Slobodan Milosheviqin.

Lëvizja kombëtare dhe demonstratat e vitit 1981 vetëm sa ndaluan ushqyerjen e shqiptarëve me shpresa të rrejshme se Jugosllavia ishte shteti ideal për realizimin e të drejtave të tyre kombëtare e sociale.

Lëvizja, me angazhimin dhe aktivitetin e saj prej disa dekadash, jo vetëm që demaskoi politikat shoviniste të Serbisë e të Jugosllavisë ndaj shqiptarëve, por gjithashtu ruajti gjallë frymën e atdhedashurisë e të bashkimit me Shqipërinë, mobilizoi masat e gjera dhe trasoi rrugë për organizimet dhe shpërthimet e mëvonshme kryengritëse, duke shërbyer njëkohësisht edhe si model i tyre.

Trembëdhjetë vjet pas demonstratave të vitit 1968, pranvera e vitit 1981 hapi kapitullin e organizimeve të mëdha ilegale e legale, politike e ushtarake të shqiptarëve, që kulmuan me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, organizimin politiko-ushtarak e cila bazamentin e kishte pikërisht në lëvizjen ilegale kombëtare të viteve ’70-’80-të të shekullit XX dhe që materializoi kauzën e kësaj lëvizjeje.

Demonstratat e prillit 1981 ishin të popullit dhe për popullin, ngase në krye të tyre u vunë bijtë më të mirë të tij dhe më 2 prill lagën tokën me gjakun e tyre të njomë.

Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, dëshmorët e parë të kësaj pranvere, ishin militantë të organizuar të Lëvizjes çlirimtare të kohës dhe organizatorë të të rinjve në demonstratën e mëngjesit të 2 prillit në qendër të Prishtinës.

U vranë nga të shtënat e oficerëve ushtarakë, të vendosur gjatë natës në objektin e Bankës Popullore.

Në vendin e rënies, pranë hyrjes së Qeverisë së Kosovës, sot qëndron një pllakë modeste në përkujtim të tyre dhe dy drurë që simbolizojnë dy heronjtë e rënë në ballë të demonstratës.

Le të shërbejë ky përvjetor edhe si një thirrje për udhëheqjen e Komunës së Prishtinës që të mendojë për t’u dhënë demonstratave të ’81-es dhe të rënëve të tyre, vendin meritor në kryeqytet.

Nuk e rëndojnë qendrën e Prishtinës dy shtatore të këtyre dy heronjve dhe një shesh i ri pikërisht në vendin ku ata ranë, e që simbolikisht do të mund të quhej “Sheshi ‘81”, “Sheshi i dëshmorëve” etj. Përkundrazi, Prishtina asnjëherë nuk do të jetë e plotë pa i dhënë hapësirën e merituar kësaj kryengritjeje dhe heronjve të saj.

Vitin e ardhshëm do të jetë 40-vjetori i këtyre demonstratave dhe i rënies së dëshmorëve të tyre, prandaj le të shërbejë ky jubile për ta jetësuar këtë mision dhe për të skalitur në kujtesën e brezave këtë pjesë të historisë kombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Albert Kinolli nga grupi parlamentar…