Shfaqet dokumentari “I arti i Prishtinës” kushtuar Abdyl Bellopojës

05 nëntor 2022 | 23:57

Premiera e dokumentarit “I arti i Prishtinës”, kushtuar futbollistit të gjeneratës së artë të Prishtinës, Abdyl Bellopoja, të shtunën në mbrëmje, ka mbledhur emra të shquar të futbollit kosovar ndër dekada, në hotel “Emerald”.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi. Para shfaqjes së këtij dokumentari, i cili paraqiti karrierën e bujshme të Bellopojës, me rrëfime të bashkëlojtarëve por edhe personaliteteve tjera, presidenti Ademi i përshëndeti të pranishmit në këtë event, teksa foli për rëndësinë që kishte gjenerata e artë e KF Prishtina, pjesë e të cilës ishte protagonisti i këtij dokumentari.

I pari i FFK-së e përgëzoi Bellepojën për dokumentarin dhe e vlerësoi këtë projekt si aset të futbollit. Ai tha se gjenerata e artë ishte vërtetë e tillë dhe këtë emër e mori me plotë meritë nga tifozët dhe populli, falë paraqitjeve të jashtëzakonshme në fushën e gjelbër. Ademi theksoi se tani kur KF Prishtina feston 100-vjetorin e themelimit, kjo gjeneratë e meriton mirënjohjen jetësore. Ai në këtë event nuk la pa përmendur edhe gjeneratën e sakrificës apo siç njihet ndryshe edhe si gjenerata e rezistencës ndaj pushtuesit, e cila gjithë karierrën e vet e kaloi jashtë objekteve sportive, por me një mision të veçantë për ta vazhduar rrugën e futbollit dhe të mos lejojë shkëputjen e zinxhirit, pasi kampionati i asaj kohe konsiderohej si segment i rëndësishëm i shtetësisë së Kosovës. Gjithashtu, presidenti Ademi përmendi edhe gjeneratën e tanishme të futbollistëve, e të cilën ai e quan si gjenerata e Republikës, për të cilën tha se po na bënë krenarë të gjithëve, sikurse dikur gjenerata e artë.

Ndërkaq, Abdyl Bellopoja falënderoi të gjithë trajnerët dhe bashkëlojtarët e tij gjatë karrierës, familjen e tij dhe tifozët nga të gjitha trojet shqiptare për mbështetjen e madhe në kohën e gjeneratës së artë. Po ashtu, ai u shpreh mirënjohës ndaj presidentit të FFK-së, i cili që nga dita e parë e mbështeti projektin e këtij dokumentari, teksa falënderoi edhe RTK-në dhe bashkëpunëtorët e tij në realizimin e këtij projekti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lista serbe ka bërë sot të ditur se kanë vendosur…