Shfaqja “Përtej hekurave” rikthen filozofine kombëtare në teatrin e Shkupit
Shkruan: Astrit Gashi
Teatri Shqiptar në Shkup riktheu një nga mbrëmjet më domethënëse artistike dhe kombëtare, duke sjellë në skenë kujtesën dhe mendimin e Ukshin Hoti, një prej figurave më të ndritura të mendimit politik shqiptar të fund shekullit XX.
E ndërtuar mbi frymën e veprës monumentale Bisedë përmes hekurash, shfaqja “Përtej hekurave” ishte një akt artistik, një rikthim i ndërgjegjes kolektive në raport me modelin e intelektualit dhe politikanit me dinjitet. Në një kohë kur shpesh dominojnë komplekset e inferioritetit dhe konformizmi intelektual, figura e Ukshin Hotit vjen si kundërpeshë e fuqishme si mendje që ndërtoi platformën shqiptare mbi identitet të pastër dhe pa kompromise.
Premiera e kësaj drame, nën regjinë e Naser Shatrolli, u shndërrua në një përjetim të thellë emocional dhe reflektues. Në thelb, ajo sjell një dialog të fuqishëm mes shkrimtarit dhe filozofit, një përplasje idesh dhe vizionesh mbi fatin e çështjes shqiptare një dramë intelektuale që tejkalon kufijtë e skenës.
Në këtë univers emocional, spikati fuqishëm interpretimi i Ylber Murtezit në rolin e Ukshin Hotit një mishërim i rrallë artistik që nuk solli vetëm figurën, por edhe shpirtin e tij në skenë. Me një intensitet të brendshëm dhe një kontroll të admirueshëm skenik, Murtezi arriti të ndërtojë një Ukshin Hotin që fliste, mendonte dhe ndiente përtej tekstit duke e bërë publikun jo vetëm dëshmitar, por pjesëmarrës në dramë.
Po aq tronditës ishte momenti kur në sallë ndodhej i biri i tij, Andin Hoti. Në çastet kur emri dhe fati i Ukshin Hotit përshkonte skenën, emocionet tejkaluan kufijtë e artit sa që lotët e djalit, të pamundur për t’u përmbajtur, u shndërruan në një dëshmi të gjallë të peshës së kujtesës dhe dhimbjes. Ky ishte ai moment kur teatri pushoi së qeni vetëm skenë u bë realitet.
Interpretimet e Genci Mirzo dhe Visar Etemi i dhanë shfaqjes një dimension të plotë artistik, duke krijuar atë që me të drejtë mund të quhet “dramë brenda dramës”. Nën fuqinë e interpretimit të tyre, një pjesë e madhe e publikut e përjetoi shfaqjen me lot në sy si një akt identifikimi kolektiv me dhimbjen, krenarinë dhe historinë tonë.
Në një kontekst më të gjerë, kjo shfaqje dëshmon nevojën urgjente që teatri shqiptar t’i rikthehet dramës shqipe, jo vetëm si zhanër artistik, por si mision shoqëror dhe kulturor. Ajo shërben si një thirrje për rikthim te vlerat, te mendimi kritik dhe te përgjegjësia intelektuale.
Merita të veçanta i takojnë edhe drejtorit të institucionit, Ismet Ramadani dhe aktoreve fantastik për realizimin e një projekti që tejkalon kufijtë e artit dhe hyn në sferën e ndërgjegjes kombëtare.
Kjo shfaqje nuk ishte vetëm art por ishte një kthim i përkohshëm i një mendjeje që historia ende nuk e ka mbyllur. Për disa momente, në atë skenë, Ukshin Hoti nuk ishte thjesht kujtim, por prani. Ishte fjala që nuk u shua, mendimi që nuk u dorëzua dhe dinjiteti që nuk pranoi të burgosej.
Dhe pikërisht aty qëndron fuqia e kësaj drame: ajo e riktheu për disa çaste Ukshin Hotin mes nesh jo si figurë e së kaluarës, por si ndërgjegje e së tashmes. Sepse ai nuk u zhduk vetëm fizikisht atë të diel të 16 majit 1999 por ai mbeti i pranishëm në çdo përpjekje për të menduar lirshëm dhe për të qenë i drejtë.
Në fund, publiku nuk duartrokiti pafund vetëm një shfaqje. Duartrokiti një rikthim. Një kujtesë që nuk dorëzohet. Një emër që historia ende e thërret.



