Shkarkohet Alain Giresse
Alain Giresse nuk është më trajner i Përfaqësues së Kosovës në futboll. Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës, e cila mori vendim për të shkarkuar strategun francez pas mbledhjes që kishte të martën.
Barazimi ndaj Rumanisë në stadiumin “Fadil Vokrri” të premten dhe humbja nga Bjellorusia të hënën në Hungari ishin vendimtare që drejtuesit e FFK-së të marrin vendim për të ndërprerë bashkëpunimin me Giressin.
Ky i fundit nuk preferoi të flas për medie pas përfundimit të mbledhjes dhe doli nga FFK-ja në shoqërinë e menaxherit të Përfaqësues së Kosovës, Bajram Shala.
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton se marrëveshje të dyanshme me përzgjedhësin, Alain Giresse është vendosur për ndërprerjen e bashkëpunimit. Deri të ky vendim, vjen pas humbjes në ndeshjen e fundit kundër Bjellorusisë (1-2). Federata e Futbollit e Kosovës e falënderon trajnerin Giresse për angazhimin dhe punën e tij gjatë periudhës sa ishte në krye të Përfaqësues së Kosovës. Në të ardhmen priten reforma të mëtejshme në ekipin kombëtar”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Giresse e mori drejtimin e Kosovës në muajin shkurt të vitit të kaluar, derisa i ka drejtuar “dardanët” në 11 ndeshje ku ka regjistruar tri fitore, katër humbje dhe katër barazime.
/Epoka e re/



