Shkasi për zgjedhje të parakohshme

29 mars 2023 | 21:38

Shkruan: Agron Hoti

Marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë përpos që i dha shans paqes duke e larguar Rusinë përfundimisht nga rajoni, ajo i bëri të njëjta të gjitha partitë politike në Kosovë.

Një Marrëveshje Finale me njohje reciproke do të pasojë vetëm pasi Rusia të dalë humbëse në Ukrainë, të ç’rangohet ndërkombëtarisht, të përjashtohet nga Këshilli i Sigurimit dhe të fillojë demokratizimin e saj.

Partia e fundit në Kosovë që për 10 vite e kundërshtonte Zajednicën vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet, sapo mori fronin dhe përqindjen e nevojshme të votave e pranoi Zajednicën me të dy duart. Ishte pikërisht kjo përqindje e madhe e votues që parandaloi çfarëdo protestë të mundshme të qytetarëve kundër Zajednicës që ishte edhe qëllimi kryesor i bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që të ruhej stabiliteti në vend.

Pas pranimit të Zajednicës partia në pushtet menjëherë u disiplinua para partnerëve dhe zhvillimeve ndërkombëtare, ndaj dhe Kryetari i Kuvendit nga partia në pushtet mori menjëherë ftesë për SHBA, diçka që i refuzohej kolektivisht partisë në pushtet në fund të vitit 2022.

Tanimë kauza të mëdha s’ka më. Rusia e ka marrë tatëpjetën. Kryetari Putin zyrtarisht po akuzohet për kriminel lufte. Evropa, e cila nga viti 2000 deri në 2022 çdo vit e më shumë po rrëshqiste kah Rusia, me fillimin e luftës në Ukrainë është kthyer plotësisht kah SHBA. Lajmi më i mirë për shqiptarët është kthimi i Evropës kah SHBA, kthim ky që ka filluar faktorizimin e shqiptarëve në rajon dhe Evropë.

Kosova ka nevojë për një qeveri me legjitimitet të ri qytetar. Rrëzuarja e Kryetares në Kushtetuese do të mund të ishte vetëm shkas për të shkuar në zgjedhje të parakohshme për shkak të vendnumërimit të qeverisë aktuale. Qeveritë e ardhshme edhe pse do të jenë koalicione të arnuara do të jenë pa tema të mëdha, pra të tilla që do të detyrohen të fillojnë të merren me përditshmërinë e qytetarit.

Të gjitha këto i hapin rrugë përshpejtimit të mbylljes edhe me letra të Gjykatës Speciale, heqjen e njollave ndaj UÇK-së të shpifura fuqishëm nga Rusia e Serbia, rikthimin e lavdisë së Krerëve të UÇK-së dhe vetë luftës çlirimtare të UÇK-së.

Një qeveri e re tanimë pas Marrëveshjes së Ohrit sado e arnuar që do të mund të jetë, do të ketë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për sigurime të njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës si dhe anëtarsime në nisma e mekanizma evropianë e botërorë. Sa më shumë që Kosova anëtarësohet në nisma e mekanizma të ndryshëm, aq më shumë konsolidohet dhe zhvillohet si shtet. A.H.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një delegacion i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane të Kuvendit…