Shkrumbi i nënës që e djeg këngën

10 shkurt 2021 | 09:44

FARUK TASHOLLI

Ai atje në turrë të druve
I mbuluar nga flakët
I fundosur në pellg prushi
Nuk është Xhordano Bruno

Është fëmija im i pambrojtur
Teksa digjet për së gjalli
Mes krismave të drurëve në zjarr

Kot e shpoi qiellin kot kërkoi zot
Me klithmat e fundit
Kot thirri tmerrshëm
Oh Nanë o Nana ime

Mua më ngufati vrasësi serb
Duke ma mbushur veshin me zë të egër
Tash do ta ngjizim fëmijën tjetër
Me gjakun tim

Kur pushuan vrasjet
Asnjë shi nuk e fshiu shkrumbin tim
Derisa po hyja me trishtim
Në kolonën e padukshme të grave të dhunuara

(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve…