Shmangia nga fiskalizimi, rrit ekonominë joformale

26 prill 2019 | 15:14

Shumë nga bizneset në Kosovë, vazhdojnë t’i shmangen procesit të fiskalizimit apo vendosjes së arkave fiskale. Qëllimi i vendosjes së arkave fiskale (sipas vendimit nga vitit 2010) nga Administrata Tatimore e Kosovës, ishte evitimi i evazionit fiskal, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe daljet (shitjet).

Ka 9 vjet që nga fillimi i këtij procesi dhe si rezultat, nga më shumë se 160 mijë biznese që janë të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, deri më tash Administrata Tatimore e Kosovës ka fiskalizuar mbi 30 mijë biznese.

Valentina Bytyçi-Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se numri i përgjithshëm i bizneseve të fiskalizuara në nivel vendi, është më shumë se 30 mijë biznese me 40 mijë pajisje fiskale. Kurse, vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë fiskalizuar 438 biznese me rreth 630 pajisje fiskale.

Ky proces, ka shpjeguar Bytyçi- Sefa, është i përhershëm dhe nuk dihet numri i saktë i bizneseve të pafiskalizuara.

“Procesi i fiskalizimit është proces permanent, i cili ndërlidhet me paraqitjen e bizneseve të reja në treg (regjistrimin e tyre), si dhe daljen nga tregu të atyre ekzistueseve (ndërprerjen e veprimtarisë apo heqjen dorë nga mënyra e shitjes me para të gatshme). Prandaj, nuk mund të bëjmë ndonjë grupim se sa është numri i bizneseve të pafiskalizuara, sigurisht që mund të ketë biznese, të cilat nuk e kanë kryer këtë obligim, mirëpo iu sigurojmë se nuk ka mundësi që nuk është ndëshkuar me gjoba për shkeljen e bërë”, ka thënë Bytyqi-Sefa.

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve në Kosovë konsiderojnë se numri i bizneseve të fiskalizuara është jashtëzakonisht i vogël në krahasim me bizneset aktive në Kosovë.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, në një bisedë për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se procesi i fiskalizimit në tre vjetët e fundit ka ngecur pothuajse në çdo aspekt. Mosfiskalizimi i bizneseve, sipas Shahinit, rrit ekonominë joformale dhe krijon pabarazi në treg.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në trevjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes…