Shoferi kapet me 111 km/h në zonën 50 km/h, gjobitet me 300 euro dhe i ndalohet vozitja për 3 muaj
Një shofer është ndëshkuar nga Policia e Kosovës për tejkalim të shpejtësisë së lejuar në Ferizaj.
Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, rreth orës 05:00 të mëngjesit, njësia e Komunikacionit Rrugor ka ndaluar në rrugën magjistrale në fshatin Prelez i Muhaxherëve një automjet të tipit BMW 318 me targa të huaja.
Gjatë kontrollit është konstatuar se shoferi, H.S., 37 vjeç, po lëvizte me shpejtësi prej 111 km/h në një zonë ku kufizimi i lejuar është 50 km/h.
Shkelja është evidentuar me radar laserik.
Për këtë kundërvajtje, policia i ka shqiptuar shoferit gjobë prej 300 eurosh, 3 pikë negative dhe masën mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit për një periudhë prej tre muajsh.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet dhe aktivitetet e intensifikuara në trafik, me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe respektimin e rregullave të komunikacionit.



