Shoqata “Gift of Life” fillon misionin e saj, Osmani e Vitia vizitojnë Klinikën e Pediatrisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë vizituar Klinikën Pediatrike në QKUK, me rastin e fillimit të misionit të shoqatës ndërkombëtare “Gift of Life” për trajtimin karidokirurgjik të fëmijëve kosovar.
Presidentja Osmani ka shprehur falënderimin për stafin mjekësor për kontributin e tyre të vazhdueshëm në këtë kohë të pandemisë. “Faleminderit për gjithçka që keni bërë, sepse tash gjatë pandemisë nuk është e lehtë. Ju po rrezikoni jetët tuaja dhe të familjarëve tuaj nga ndonjë infeksion i mundshëm. Por, kjo kurrë nuk do të harrohet. Do të jemi përjetësisht falënderues”, ka deklaruar Osmani.
Organizata “Gift of Life” vitin e kaluar kishte planifikuar rreth 90 operime në Kosovë, por i anuloi ato për shkak të situatës me pandeminë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka çmuar lart punën e jashtëzakonshme te kësaj organizate që për vite me radhë realizon misione të tilla, ku përveç që po ndihmojnë fëmijët, janë duke kontribuar shumë edhe në edukimin e vazhdueshëm profesional të stafit mjekësor vendor.
“Jam këtu për të shprehur mirënjohjen, por gjithashtu për t’ju treguar juve që ne jemi këtu për ta bërë gjithçka të mundur. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar juve. Faleminderit dhe shpresojmë për projekte të ardhshme, shpresojmë për më shumë jetë të shpëtuara”, ka thënë Vitia.
Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi duke njoftuar rreth angazhimit për organizimin e këtij misioni ka sqaruar se një ekip i përbërë nga 17 ekspertë kardiokirurgë amerikanë dhe italianë, të asistuar nga mjekët vendorë, do të kryejnë intervenime në 30 fëmijë me probleme në zemër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.



