Shoqata ‘Konsumatori’: Pezullimi i vajit të palmës e qumështit pluhur është populizëm
Shoqata “Konsumatori” ka kritikuar vendimin e Ministrisë së Bujqësisë për pezullimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në sektorin e qumështit, duke e cilësuar atë si populizëm dhe politizim.
Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një intervistë për “Ekonomia Online”, ka thënë se institucionet në Kosovë prej vitesh nuk kanë ndërmarrë politika reale në mbrojtje të konsumatorit.
“Nëse ne jemi familjarizuar me këto probleme, domethënë nuk është koha për ngritje të shqetësimeve. Nëse duhet të ngritën shqetësime, duhet të ngritën shqetësime ndaj qeverisë, të të gjitha legjislaturave, të cilat nuk kanë bërë të duhurën. Ajo që do duhej të bëhej dhe që u trumbetua duke u shtuar se e kanë bërë për mbrojtjen e konsumatorit, duhet korrigjuar. Nuk është mirë të na hedhin pluhur syve, nëse ne e dimë që asnjë legjislaturë qeveritare nuk e ka njohur dhe akoma nuk e njeh shtetin konsumator, aq më pak si qytetar konsumator taksapagues, gjenerues kryesor i buxhetit të shtetit”, ka thënë ai.
Kaçaniku ka kritikuar Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke thënë se kanë vepruar në kundërshtim me interesat e konsumatorëve.
“Ministria e Bujqësisë e ka bërë të kundërtën. E ka heq një bord, bordin e AUV-it, i cili i vetmi ka pas brenda saj, brenda tij, përfaqësues të shoqërisë civile. Dhe si t’i besojmë ne Ministrisë së Bujqësisë nëse bën diçka për ne, nëse është dëshmuar se ka bërë të kundërtën për ne? Ose, si t’i besojmë MINTI-t, i cili nuk e kupton që komponenta kryesore socio-ekonomike është konsumi, është nevoja, është kërkesa, është tregu, është transaksioni, pra është konsumatori. Përkundër faktit që e ka departamentin e mbrojtjes së konsumatorit, MINTI bën këso fiskultura, ndërsa harron që departamenti duhet të ngritët të paktën në nivel të drejtorisë para se ta bëjë ministri. Sepse po del që konsumatori është para tregtisë dhe para industrisë”, ka thënë Kaçaniku.
Ai ka thënë se mungesa e diplomacisë ekonomike dhe konsolidimit të tregut ka ndikuar në rritjen e çmimeve dhe importimin e inflacionit.
“Ajo që do duhej të bënte MINTI është që ta konsolidojë tregun. Po të kishim ne treg, e do duhej të kishim treg pasi kemi Ministri të Tregtisë, tregu do të vepronte si rregullator çmimesh dhe si rregullator furnizimesh. Erdhëm te furnizimi. Kam thënë, po e them me lejen tuaj po e përsëris, se ne nuk kemi diplomaci ekonomike. Kështu më popullore, që gjithmonë jam angazhuar, kam thënë se ne me asnjë shtet me të cilin kemi raporte të mira tregtare atje nuk kemi asnjë përfaqësues tregtar, konsull të tregtisë ose konsull komercial siç quhen ndryshe”.
“Domethënë ne importojmë çdo gjë, importojmë edhe çmimet e fryra, importojmë edhe inflacionin e shkallës së lartë sepse edhe kësaj qeverie si qeverive të mëparshme i konvenojnë çmimet e fryra artificialisht sepse kemi buxhet konsumues. Buxheti konsumues gjëndërohet nga xhepat e qytetarëve konsumatorë, nga xhepat tanë, dhe ne për të njëjtin produkt në shumë raste i paguajmë nga disa lloje tatimesh dhe të njëjtin lloj tatimi disa herë. Domethënë jemi skajshmërisht të eksplatuar, ndërsa këta trumbetojnë sa po e bëjnë për ne. Nuk po e bëjnë për ne”, ka thënë ai.
Kaçaniku ka thënë se AUV-i mbetet një nga mekanizmat më të besueshëm për sigurinë ushqimore në vend.
“Nëse jemi të pasigurtë, prej hapave që do duhej ta bënte Ministria e Tregtisë dhe Ministria e Bujqësisë së bashku me qeverinë, do duhej ta anulojnë AUV-in. Ndërsa AUV-i është një prej agjencive omë të sigurta, jo vetëm në Kosovë po ndoshta edhe në gadishullin Ilirik. Domethënë, ne nuk duhet t’i kthejmë vetes pyetje. AUV-i neve na garanton ushqime të sigurta. Sa janë të sigurta? Nëse ata obligohen ta monitorojnë vetëm një përqind e gjysmë të produkteve, ajo mbetet ta shikojmë ne. Pjesa tjetër e nëntëdhjetë e tetë përqind e gjysmë na mbetet neve si qytetarë konsumatorë duke bashkëpunuar me mekanizmat e kontrollit të tregut”, ka thënë ai.
Më tej, Kaçaniku ka foluir edhe për përdorimin e qumështit pluhur dhe deklarimin e tij në produkte ushqimore.
“Sa janë të sigurta tjetra? Ligjërisht, qumështi pluhur nuk është i ndaluar. Qumështi pluhur obligohet të deklarohet nëse përdoret mbi dy përqind e gjysmë. Kjo është e gjithë filozofia. Pra, për mua si konsumator është i njëjti abuzim, abuzim i njëjtë sikur ta përdorin qumështin pluhur mbi dy për qind e gjysmë e mos ta deklarojnë, ose si ta përdorin qumështin si tepricë teknologjike gjatë prodhimit të djathit, të ajkës, të kosit, të jogurtit, të dhallës ose të ajranit. Është e njëjta gjë, por dikush fshihet prapa vajit të palmës, për shembull po harron se ia kanë ndihmuar prodhimit të vet me ujë”, ka thënë ai.
Duke komentuar vendimin e Ministrisë së Bujqësisë për pezullimin e vajit të palmës dhe qumështit pluhur, Kaçaniku ka thënë se institucionet nuk kanë konsultuar konsumatorët.
“Nuk është me vend, është populizëm dhe është politizim, nuk është politikë. Prapë po kthehem, nëse ata thonë se e kanë bërë për mbrojtjen e konsumatorit, paraprakisht do duhej ta bënin një konsultim me ne. T’i dëgjonin vuajtjet tona, ankesat tona, kërkesat tona, shijet tona. Kjo nuk është bërë kurrë nga asnjë legjislaturë qeveritare. Ne i shërbejmë qeverisë si një mi eksperimental ose si një xhep rezervë ku ata do të marrin paratë sa kanë nevojë”, ka thënë ai.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, të dielën ka bërë me dije se është pezulluar përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur, pasi sipas tij ekzistojnë dyshime se po përdoren gjatë prodhimit të qumështit.



