Shoqëria civile i shkruan Hagës: Keni thënë se drejtësia, llogaridhënia dhe legjitimiteti ndërkombëtar do të ecnin paralelisht, dëshmoni se nuk ishte një premtim bosh

25 qershor 2026 | 16:29

Një grup prej 22 drejtuesish dhe përfaqësuesish të organizatave të shoqërisë civile i kanë drejtuar një letër presidentes së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në të cilën shprehin një sërë shqetësimesh lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe paraqesin disa kërkesa konkrete.

Në hyrje të letrës theksohet se qëllimi i saj nuk është të paragjykojë vendimin e gjykatës, por të nënvizojë se mënyra se si zhvillohet ky proces gjyqësor do të ketë ndikim jo vetëm juridik, por edhe në besimin publik, marrëdhëniet ndëretnike dhe perceptimin e qytetarëve të Kosovës ndaj drejtësisë ndërkombëtare.

Autorët e letrës rikujtojnë se kjo nuk është hera e parë që shoqëria civile ngre shqetësime për punën e Dhomave të Specializuara. Ata përmendin reagimin e gushtit 2025 lidhur me pranimin si prova të dokumenteve të nxjerra nga institucionet shtetërore serbe, duke argumentuar se materiale të tilla kërkojnë një nivel më të lartë shqyrtimi për shkak të kontekstit historik dhe rolit të këtyre institucioneve gjatë viteve ’90.

Në letër renditen shtatë shqetësime kryesore. I pari lidhet me raportin e Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC), i cili ka ngritur pikëpyetje për paraburgimin e zgjatur, pavarësinë gjyqësore, pranueshmërinë e provave dhe barazinë e palëve në proces.

Një tjetër shqetësim i rëndësishëm është kohëzgjatja e paraburgimit të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 pa një vendim të shkallës së parë. Sipas autorëve të letrës, kjo ka krijuar perceptimin se paraburgimi po shndërrohet në ndëshkim para vendimit përfundimtar.

Po ashtu, ata shprehin shqetësime për trajtimin e dokumenteve që burojnë nga institucionet shtetërore serbe, duke argumentuar se origjina, ruajtja dhe verifikimi i tyre duhet t’i nënshtrohen standardeve më rigoroze të mundshme.

Letra trajton edhe çështjen e përgjegjësisë individuale dhe perceptimin publik se procesi po shkon drejt etiketimit kolektiv të UÇK-së dhe luftës çlirimtare të Kosovës. Sipas nënshkruesve, drejtësia duhet të fokusohet te përgjegjësia individuale dhe jo të krijojë përshtypjen e fajësimit të një lëvizjeje të tërë.

Një tjetër pikë lidhet me mungesën e besimit publik ndaj Dhomave të Specializuara. Sipas letrës, aktivitetet informuese të gjykatës kanë qenë të kufizuara dhe nuk kanë arritur të krijojnë besimin e nevojshëm te qytetarët e Kosovës.

Autorët paralajmërojnë gjithashtu për pasojat që mund të ketë vendimi përfundimtar në aspektin politik, shoqëror dhe të sigurisë, duke theksuar se një proces që perceptohet si i padrejtë mund të thellojë polarizimin dhe të ushqejë narrativat që synojnë delegjitimimin e luftës çlirimtare dhe shtetësisë së Kosovës.

Në fund të letrës, shoqëria civile kërkon nga Dhomat e Specializuara një përgjigje publike ndaj shqetësimeve të ngritura nga raporti i BHRC-së, sqarime për trajtimin e provave që burojnë nga institucionet serbe, rishikim të praktikës së paraburgimit të zgjatur dhe mundësimin e monitorimit të pavarur të procesit gjyqësor.

Nënshkruesit theksojnë se nuk po kërkojnë pandëshkueshmëri për askënd, por insistojnë që drejtësia të realizohet përmes një procesi që perceptohet si i drejtë, i paanshëm dhe i besueshëm.

“Krimet e pretenduara kundër civilëve dhe krimet e luftës, kudo që janë kryer dhe nga kushdo që janë kryer, meritojnë drejtësi dhe llogaridhënie. Por llogaridhënia duhet të realizohet përmes një procesi që njerëzit mund ta njohin si të drejtë dhe të paanshëm. Kosova i pranoi Dhomat e Specializuara sepse iu tha se drejtësia, llogaridhënia dhe legjitimiteti ndërkombëtar do të ecnin paralelisht. Tani Gjykata dhe shtetet që e mbështesin atë kanë përgjegjësinë të dëshmojnë se ky nuk ishte një premtim bosh”, përfundon letra.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Valbona Dedia shpall të pavlefshme diplomën e shkollës së mesme…