Shoqëria civile kundër vendimit për mbulimin e sigurimit kufitar për diasporën

23 qershor 15:57

 

 

Disa organizata të shoqërisë civile përmes një reagimi publik kanë kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbulimin e primit të sigurimit kufitar apo siç njihet Kartoni i Gjelbërt, shërbim ky që planifikohet të mbulohet tërësisht nga Qeveria e Kosovës për të huajt që vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021.

“Ne, organizatat e poshtëshënuara, fuqishëm e kundërshtojmë një vendim të tillë duke e vlerësuar si të paarsyeshëm që buxheti i Kosovës i mbushur me para të taksapaguesve të varfër të shfrytëzohet për të mbuluar shpenzime private për automjete të personave privat.I kujtojmë Qeverisë që ky vendim është tendencë e qartë për keqpordorim të parasë publike përmes financimit nga buxheti i Republikës, buxhet i cili në asnjë rrethanë nuk i dedikohet subvencionimit të shërbimeve të shtrenjta të sigurimit të autopërgjegjësisë që rezulton nga veprimi privat i ngasësve të tyre. Për më tepër, buxheti është rrjedhojë e një kontributi të një shumice të varfër të qytetarëve, e i cili reflekton detyrimin për shpenzimin maksimalisht racional dhe vetëm për objektiva që janë të domosdoshme e që kanë për qëllim një interes publik të Republikës”, thuhet në reagimin e këtyre organizatave.

Sipas këtyre organizatave ky shpenzim në këtë formë është plotësisht i pa justifikueshëm, e promovon një model të pabarazisë sociale ku shteti ndërhyn për të subvencionuar pronarin e automjetit që në parim është një individ me status relativisht solid pasuror, dhe mundëson një sjellje të qeverisë që përmes klientelizimit të të subvencionuarit t’i përfitoj atij mbështetjen politike.

“Vendimi si i tillë promovon një model jo të mirë të politik bërjes, pasi që hap horizonte për vendime të ngjashme të kësaj natyre në të ardhmen edhe nga qeveri pasardhëse. Vendime të tilla janë në kundërshtim me modele zhvillimore ekonomike, marrë parasysh që përfitues janë kategori siç janë personat privatë dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), e cila ka një histori të gjatë të lidhjeve korruptive me familjarë të ish pushtetarëve të kaluar. Në vend të kësaj, Qeveria e Kosovës nëpërmjet Byrosë Kosovare të Sigurimit duhet të bëjë përpjekje konkrete që ta fus Kosovën në Kartonin e Gjelbër, e jo të ndërmarrë veprime që shkaktojnë shpenzime luksi në kurriz të qytetarëve të varfër të Republikës sonë”, thuhet më tutje në këtë reagim.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Lëvizja FOL  Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Rron Gjinovci në reagimin e tyre kanë theksuar se këtë vendim të Qeverisë e shohin si të pamatur dhe palogjikshëm në kontekstin social e politik në të cilin gjendet vendi.

“Pavarësisht fuqisë së madhe politike që i lejon për të marrë vendime të tilla, Qeveria duhet të tregohet e matur dhe serioze, duke i shmangur vendimet populiste dhe të ngutshme që e fusin shtetin e Kosovës në obligime që në këtë periudhë nuk do të duhej të ishin parësore, duke e marrë parasysh mirëqenien e ulët ekonomike në vend” është thënë në fund të këtij njoftimi.

Qeveria e Kosovës të martën ka vendosur që të bëje mbulimin nga 1 korriku të obligimeve të Parimit të sigurimit kufitar për të gjithë bashkatdhetarët dhe shtetasit e huaj që janë subjekt i policës kufitare dhe vijnë në Kosovë deri në fund të këtij viti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Holandës, Frank de Boer ka marrë një lajm…