Shpallja e gjendjes emergjente me energji elektrike, Rizavanolli kërkon të votohet vendimi nga deputetët
Ka filluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës me pikën e vetme të rendit të ditës, shqyrtimin e vendimit të qeverisë për masat e emergjencës në kufizimin e energjisë.
Sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli miratimi i këtij vendimi, nuk do të thotë se masat do të vendosen
menjëherë.
“Një shpallje e tillë nuk do të thotë marrja e masave të menjëhershme, por do të thotë marrje e masave për furnizim për konsumatorët. Miratimi i këtij vendimi do të thotë zbatim i menjëhershëm i masave. Propozimi i kësaj do të thotë vendosja e masave na afat për 60 ditë nga hyrja në fuqi, mirëpo Kuvendi mund ta vazhdoj këtë situatë”, ka thënë Rizvanolli.
Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së 51-të ka marrë vendim që ta shpallë emergjente gjendjen energjetike, e cila do të vlen për 60 ditë.
Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.
Po ashtu përmes këtij vendimi është vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë – ky Komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.



