Shpartallohet Gjilani, Haxhimusa zgjedh Dritën

07 qershor 2018 | 11:07

Betim Haxhimusa, Edomd Turku dhe Isa Eminhaziri janë larguar edhe zyrtarisht të mërkurën nga skuadra e Gjilanit, e cila po përjeton një valë të madhe largimesh. Haxhimusa ka nënshkruar menjëherë për Dritën, kurse dy futbollistët e tjerë, Turku dhe Eminhaziri, janë lojtarë të lirë.

Skuadra e Gjilanit është duke shkuar drejt një shpartallimi total, pasi shumica e lojtarëve të kësaj skuadre janë larguar dhe disa të tjerë pritet të largohen. Fillimisht nga kjo skuadër është larguar reprezentuesi i Kosovës, Armend Thaqi, që vendos për një rikthim të madh te Prishtina, kurse skuadrën kryeqytetase e zgjodhi edhe mbrojtësi me përvojë të madhe, Leotrim Beketeshi.

Të mërkurën një goditje të madhe skuadrës së Gjilanit dhe tifozëve “Skifterave” ua ka dhënë Betim Haxhimusa, i cili vendosi ta zgjedhë rivalen e madhe të Gjilanit, Dritën. Haxhimusa u prezantua te skuadra kampione, e cila nëpërmjet një njoftimi ka bërë me dije se ky futbollist ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2021 dhe me të Drita do të jetë edhe më e fortë në repartin e sulmit. Gjilanin të mërkurën e braktisi edhe mbrojtësi i shquar Edmond Turku. Ish-anëtari i Besës dhe Trepçës ’89 nuk ka dashur të tregojë për skuadrën e re, por vetëm konfirmoi largimin.  “KF Gjilanit i dëshiroj suksese në të ardhmen. Falënderoj të gjithë ata me të cilët pata rastin të bashkëpunoj, gjithashtu kryesinë e klubit për korrektësinë”, ka thënë Turku.

Njëjtë sikur Turku ka vepruar edhe Isa Eminhaziri, i cili ka falënderuar skuadrën e Gjilanit, “Skifterat”, kryesinë e klubit, bashkëlojtarët dhe trajnerët. “Faleminderit Gjilan për kohën e kaluar së bashku dhe suksese në vazhdimësi! Më nuk do të jem pjesë e kësaj skuadre”, ka thënë ish-lojtari i Feronikelit. Lojtarët e tjerë që pritet të largohen së shpejti nga Gjilani janë: Fisnik Papuçi, Arbër Shala dhe Hasan Hyseni.

/Veton ZYMBERI/

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas koncertit në Tiranë e Itali, këngëtarja e famshme me…