Shpërndahen 30 komposterë për 30 shkolla fillore të komunës së Drenasit

21 mars 2019 | 16:27

Qendra për Edukim dhe Zhvillim të Mjedisit – CEDE së bashku me nën kryetarin e komunës së Drenasit, Gani Sylaj, Drejtorinë për Arsim dhe Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Emergjente në komunën e Drenasit shpërndanë 30 komposterë për 30 shkolla fillore të komunës së Drenasit.

Ky aktivitet është në kuadër të projektit “Promovimi i kompostimit në shkolla dhe ekonomi familjare”, në kuadër të “Empower – Engage – Build Ownership” i cili zhvillohet në komunën e Drenasit dhe ka filluar zbatimin e tij në nëntor të vitit të kaluar.

Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është reduktimi i vëllimit të mbeturinave në komunën e Drenasit.

Ndërkohë, qëllimet specifike të projektit janë promovimi i prodhimit të kompostit nga mbeturinat organike dhe nxitja e qytetarëve për të kompostuar në mënyrë që mbeturinat e prodhuara nga ta t’i shndërrojnë në kompost, t’i ripërdorin për kopshtet e tyre me qëllim të ruajtjes së mjedisit.

Përfituesit e këtij projekti janë 30 institucionet shkollore të komunës së Drenasit, mësimdhënësit e lëndës së mjedisit jetësor, biologjisë dhe të bujqësisë, 600 nxënës të këtyre shkollave, qytetarët si dhe kompania Pastrimi – njësia në Drenas.

Ky projekt ka për synim Mbrojtjen e Mjedisit dhe nxitjen e Ekonomisë Qarkore, financuar nga Bashkimi Evropian dhe të menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, zbatuar nga Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politikat Zhvillimore (INDEP).

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo do të jetë në të dyja sfidat me…