Shpërndarja e drunjve për skamnorët në Prishtinë, përplasja e re VV-PSD

09 dhjetor 20:35

Pak kohë pasi përfundimisht kanë lënë bashkëqeverisjen edhe në Komunën e Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ndalë akuzat në drejtim të Shpend Ahmetit.

Së fundi e ka akuzuar se po përdor Komunën për ta promovuar veten. “Komuna nuk duhet e nuk mund të mbetet institucion që shfrytëzohet si trampolinë nga kryetari aktual, për ta përmbushur ambicien e tij për promovim”, thuhet në një njoftim për media, për një aktivitet që dega në Prishtinë e kësaj partie e ka organizuar gjatë ditës së diel, kur ka shpërndarë drunj për skamnorët.

Në njoftimin për aktivitet, akuzat ndaj Ahmetit dhe PSD-së, partisë të cilën ai e udhëheqë nuk përfundojnë me kaq. “Në parkun Gërmia ka një numër të madh të drunjve të cilët janë mbledhur nga pastrimi i pyjeve e shtigjeve dhe njëkohësisht ka drunj që janë konfiskuar nga inspeksioni për shkak të prerjeve ilegale. Këto drunj, që janë mbi 600 metra kub, sigurisht që do të lehtësonin kushtet e rënda të rasteve sociale në Komunën e Prishtinës”, thuhet në njoftimin e VV-së. “Për më keq, para disa muajsh është raportuar se pikërisht nga punëtorë të punësuar së voni në Hortikulturë nga PSD-ja, janë vjedhur një pjesë e drunjve”, thuhet më tej, në njoftimin se kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Prishtinë, Arben Vitia, bashkë me aktivistë shpërndanë drunj disa familjeve me gjendje të rënduar ekonomike në Komunën e Prishtinës.

Aty tregohet se këto drunj “janë siguruar nga ndihma të aktivistëve e përkrahësve vullnetmirë, të cilët kanë treguar gatishmërinë për solidarizim me ata që kanë më së shumti nevojë”, derisa nuk është lëshuar rasti për të bërë edhe një tjetër akuzë në drejtim të Komunës së Prishtinës.

“Meqë zyrtarët nga Komuna e Prishtinës e Qeveria i kanë harruar rastet sociale, është i domosdoshëm angazhimi në aksionet solidarizuese, të cilat edhe ne si Qendër e Lëvizjes në Prishtinë do t’i shpeshtojmë e intensifikojmë”, ka thënë më tej Vetëvendosje në komunikatë.

Portali “Koha.net”,  ka pyetur për këtë zëdhënësin e komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri. Ai njoftimin e Vetëvendosjes e ka quajtur spektakël medial.

Si përgjigje për akuzat për shfrytëzim të komunës për promovim nga Ahmeti, Tahiri ka thënë se “janë vetëm grumbull fjalësh e fjalish, pa bazë dhe pa kuptim, sa për të dërguar diçka në media edhe të dielën”.

Tahiri është përgjigjur edhe për akuzat se komuna nuk interesohet për rastet sociale. Ka thënë se aksioni për shpërndarjen e drunjve ishte shfrytëzim i informatës se komuna do të ndajë drunjtë javën e ardhshme. “VV ka mjaft punëtorë të vet në Hortikulturë. Ata u kanë treguar se javën tjetër shpërndahen drurët tek familjet me raste sociale. Kësisoj e kanë shfrytëzuar këtë të diele, për spektaklin e radhës medial, ashtu që kur t’i shpërndajmë ne gjatë javës tjetër, të dalin e të thonë se ‘ia kujtuam Komunës’. Jemi mësuar me lojërat e tyre politike të pasinqerta”, është shprehur Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hendbollistet e Istogut e kanë mbyllur me fitore bindëse stinorin…