Shpresat rriten për një armëpushim të ri të përkohshëm në Gaza

03 mars 2024 | 11:33

Një delegacion i Hamasit ka arritur në Kajro të Egjiptit të dielën, ndërsa shpresat po rriten për një armëpushim të ri në Gaza, raporton “BBC”. Zyrtarë amerikanë kanë treguar se Izraeli “parimisht” e ka pranuar marrëveshjen.

Ata thonë se marrëveshja gjashtëjavore do të përfshinte lirimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë. Presioni për një marrëveshje është intensifikuar pas sulmit të së enjtes në qytetin e Gazas në veri të territorit, ku 112 palestinezë humbën jetën ndërsa po nxitonin te një konvoj i ndihmave.

Hamasi kishte akuzuar Izraelin se kishte qëlluar civilët që po tentonin të merrnin ushqim. Izraeli ka mohuar këtë, dhe të dielën ka thënë se ka rishikuar rastin dhe ka dalë në përfundim se trupat izraelite kanë qëlluar “disa individë” që u ishin afruar, por shumica e të vdekurve u shkaktuan pasi njerëzit kishin rënë sipër njëri-tjetrit.

Zyrtarët egjiptianë, që po ndërmjetësojnë bisedimet për paqe së bashku me Katarin, kanë thënë se delegacionet nga Hamasi e Izraeli pritet të marrin pjesë në negociata.

Hamasi raportohet të ketë thënë se marrëveshja e armëpushimit mund të arrihet brenda 24 deri 48 orëve të ardhshme. Pritjet për një marrëveshje janë rritur pasi një zyrtar i lartë amerikan tha se Izraeli “parimisht është pajtuar” për kornizën e armëpushimit gjashtëjavor.

Izraeli ka nisur sulmet ushtarake në Gaza, me synim për ta shkatërruar Hamasin, pasi militantët e Hamasit u futën në Izrael më 7 tetor dhe vranë rreth 1200 persona e morën 253 pengje.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të Gazas, në sulmet në Gaza janë vrarë të paktën 30 mijë e 410 persona, përfshirë 21 mijë fëmijë e gra, dhe rreth 7000 rezultojnë të zhdukur. Ndërsa janë lënduar 71 mijë e 700 persona.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Parlamenti i Pakistanit e ka zgjedhur të dielën Shehbaz Sharifin…