Shqetësuese renditja e Kosovës në PISA 2018?

04 dhjetor 2019 | 14:37

Shukri Klinaku

Janë dy gjëra edhe më shqetësuese në arsimin e Kosovës!

(Rezultati i PISA-s, sa i përket Kosovës, nuk ka nevojë për analizë të hollë! Mjafton një e “trashë” dhe shihet, jo vetëm shkaku i rezultatit, por edhe diçka më thellë.)

Pas publikimit të vlerësimit ndërkombëtar PISA 2018 shoh shqetësim të ligjshëm në publik për renditjen e Kosovës në këtë vlerësim. Megjithatë, unë shqetësohem për faktin se ky shqetësim i publikut, e aq më keq shqetësimi i institucioneve, nuk është i adresuar si duhet. Me fjalë tjera, konsideroj se ne nuk duhet të shqetësohemi dhe të vajtojmë për renditjen jo të kënaqshme të Kosovës në PISA 2018, sepse në një garë dikush duhet të renditet i fundit; madje po të jetë gara e fortë, edhe i fundit mund të ketë vlera të çmueshme. Ne duhet të shqetësohemi për dy gjëra tjera, të cilat sado që në dukje të parë pasqyrohen në renditjen e PISA-s 2018, sipas bindjes sime pasqyrimi i tyre është shumë i zbehtë. Konkretisht – nga renditja e Kosovës në rezultatin e PISA-s nuk del qartë: (1) huqi i madh i MASHT-it lidhur me kuptimin e testit PISA; (2) nuk del qartë, as për së afërmi, shkalla e ulët e organizimit të arsimit në Kosovë.

Shqetësimi i parë: MASHT-i nuk e di rolin e vet në raport me testin PISA

MASHT-i krenohej dhe krenohet se ka përgatitur nxënësit me “program të posaçëm” për testin PISA 2018! Ka veshur hyrjen e ndërtesës së MASHT-it me pllakate ku shkruan: PISA 2018 po vije! Ky është huq i madh MASHT-it. MASHT-i nuk e ka kuptuar se për PISA dhe për të gjitha testet tjera – duhet të kryej detyrat për çdo ditë dhe të të gjitha fronteve për çka ngarkohet. MASHT-i në raport me testin PISA luan rolin e studentit kalkulues; studentit që kalkulon se çka të mësojë, e çka të mos mësojë për provimin që e pret. Pra, MASHT-i në vend se t’i kryej të gjitha detyrat që i ngarkohen dhe të pres rezultatin, kalkulon se në cilën pjesë të sforcojë punën në mënyrë që rezultatin në PISA ta marrë të mirë. Ky është huq i madh. Dhe ky huq i ngarkohet (me organogram) vetëm dy personave në Kosovë – kryeministrit dhe ministrit të MASHT-it.

Shqetësimi i dytë, kryesori: Shkalla e organizimit të arsimit në Kosovë

Organizimi i arsimit në Kosovë vuan prej disa mungesave dhe sëmundjeve të mëdha. E para, Kosova ende nuk ka pasur kryeministër me vizion për arsimin e vendit. Pra, gjithnjë vizioni për arsimin e Kosovës i ka mbetur barrë vetëm ministrit të arsimit. E dyta, edhe më keq, Kosova ende nuk ka pasur ministër të arsimit që ka pasur vizion për arsimin e Kosovës. Për shkak të këtyre dy mungesave të mëdha në këto 20 vjet na ka përcjellë një paradoks – deri më tani ministria e arsimit (MASHT-i), në radhë të parë, nuk i ka shërbyer organizimit të arsimit! Në radhë të parë MASHT-i deri më sot ka pasur agjendat partiake, grupore dhe personale. E treta – ato që vërehen dhe që dëmtojnë drejtpërdrejt më së shumti – sëmundjet e organizimit të arsimit tonë. “Ekspertët” e arsimit janë të prirë të na thonë se arsimi në Kosovë vuan për shkak të mosrealizimit të disa metodave e të disa proceseve me terme sub-speciale, të cilat nuk i deshifron dot asnjëri nga ministrat e arsimit të pasluftës, asnjëri nga rektorët, madje asnjëri prej dekanëve të fakulteteve të edukimit që ka Kosova. Jo të nderuar “ekspertë”, sëmundjet e arsimit në Kosovë janë më të thjeshta, më të rënda, që shihen më lehtë se ato sëmundjet “speciale”. Sipas bindjes sime sëmundjet kryesore në arsimin tonë janë: pozitat udhëheqëse në institucionet arsimore zihen me korrupsion, bërryla ose me muskuj (prej ministrit, rektorëve, dekanëve e më poshtë); pastaj këta, realizojnë misionin e tyre. Prandaj, sot institucionet arsimore më shumë ngjajnë në çerdhe partiake dhe në skema sociale (bamirësie). Duke qenë se këta udhëheqës me muskuj apo të korruptuar nuk kanë vizion për institucionin që udhëheqin (sepse as që u kërkohet), më së shumti merren me arkën e institucionit. E arkën, dihet si e ndajnë. Në ndarje të arkës nuk është më e keqja se ndajnë më së shumti për xhepin e vet; por se iu ndajnë shumë edhe njerëzve tjerë përreth me muskuj (atyre që zakonisht janë për ndëshkim, e jo për shpërblim), në mënyrë që ta blejnë mandatin vijues.

Në këto rrethana, arsimin në Kosovë e mbajnë një grusht i punëtorëve idealistë dhe një shumicë e punëtorëve të arsimit që punojnë me vegim; pra, jo organizimi shtetëror nga ana e MASHT-it. Prandaj, çdo tentim për analizë të hollë të rezultatit të Kosovës në PISA 2018 është gabim, sepse analiza do të ishte largim nga objektivi ku do të duhej të përqendrohej një qeveri arsimdashëse në të ardhmen. Me fjalë tjera, testi PISA është i ndërtuar për të vlerësuar sisteme funksionale (normale) të arsimit, e jo si ky i yni.

Çka duhet të bëj ministri i ri i MASHT-it?

Nëse është njohës i arsimit dhe nëse është i përkushtuar për arsim dhe vetëm për arsim, ministri i ardhshëm: së pari, vendosë rregulla rigoroze për bartësit e pozitave udhëheqëse në arsim; së dyti, vendosë standard të lartë në zbatimin e ligjit, statuteve dhe rregulloreve; dhe së treti cakton 3-4 prioritete për mandatin e vet, e ku njëri prej prioriteteve duhet të ishte – politika radikale në forcimin e Fakulteteve të Edukimit. Sot fakultet e edukimit (fabrikat e mësimdhënësve para-universitarë) janë më të dobëtat në universitetet tona, kanë udhëheqjet më të dobëta, kanë kryesisht mësimdhënësit më të dobët dhe rekrutojnë kryesisht studentët më të dobët.

Pas 2-3 vjet pune me këto premisa i vije radha edhe analizave të holla për arsimin, me terma specialë për arsimin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pep Guardiola fitoi çmimin ‘trajneri i vitit’ nga Federata Katalanase…