Shqipëria dhe Mali i Zi drejt BE-së, Kosova dhe Bosnja presin sinjale, Serbia ngecën mes Brukselit dhe Pekinit

01 qershor 2026 | 08:56

Samiti i Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi, pritet të jetë një nga ngjarjet politike më të rëndësishme në rajon në vitet e fundit. Në një kohë kur lufta në Ukrainë ka ndryshuar prioritetet gjeopolitike të Evropës dhe Brukseli po përpiqet të ringjallë procesin e zgjerimit, liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor mbërrijnë me pritshmëri të ndryshme, por edhe me rezultate shumë të ndryshme në rrugën drejt integrimit europian.

Në Tivat do të mblidhen më shumë se 30 krerë shtetesh dhe qeverish, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez, kryeministren italiane Giorgia Meloni, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian António Costa dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas.

Sipas organizatorëve, bëhet fjalë për ngjarjen më të madhe diplomatike në historinë moderne të Malit të Zi.

Siç ka deklaruar Ana-Maria Bura, këshilltare e presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, “vala e re e zgjerimit të Bashkimit Evropian është reale dhe e prekshme”, ndërsa ky do të jetë mesazhi kryesor i samitit në Tivat.

Mali i Zi kërkon vulën si anëtari i ardhshëm i BE-së

Për Malin e Zi, si vend mikpritës, samiti ka një rëndësi të veçantë. Ai zhvillohet pothuajse dy dekada pas shpalljes së pavarësisë dhe Podgorica e sheh si një konfirmim se është kandidati më serioz për anëtarësimin e ardhshëm në Bashkimin Evropian.

Vitet e fundit, Mali i Zi ka arritur të zhbllokojë procesin negociues dhe të ruajë avantazhin ndaj vendeve të tjera të rajonit. Në Bruksel po përmendet gjithnjë e më shpesh mundësia që Podgorica të bëhet anëtarja e radhës e BE-së, nëse vazhdon reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor.

Shqipëria po shfrytëzon momentin historik

Nëse Mali i Zi konsiderohet lideri i negociatave, Shqipëria është surpriza më pozitive e procesit të zgjerimit gjatë vitit të fundit.

Në fund të majit, në Bruksel u mbajt konferenca e tetë ndërqeveritare BE-Shqipëri, ku u konfirmua se Tirana ka përmbushur kriteret kyçe në fushën e sundimit të ligjit dhe reformës në drejtësi.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria “ka hyrë zyrtarisht në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit”, duke u bërë vendi i dytë kandidat, pas Malit të Zi, që arrin këtë nivel.

“Shqipëria ka bërë një hap të madh në procesin e integrimit europian”, tha Kos, duke vlerësuar reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe punën e SPAK-ut.

Kryeministri Edi Rama nuk i fsheh ambiciet. Duke folur në Bruksel, ai deklaroi se Shqipëria është “vendi më pro-evropian në Evropë” dhe se do të bëjë “çdo gjë të nevojshme” për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Ne jemi fanatikë të BE-së”, tha Rama, duke theksuar se Shqipëria është 100 për qind e harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Pikërisht për këtë arsye, Tirana shkon në Tivat me pritjen që të marrë një shtysë të re politike për finalizimin e negociatave dhe një konfirmim se zgjerimi nuk është më thjesht një premtim, por një proces real.

Maqedonia e Veriut ende peng i vetos bullgare

Ndryshe nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet e bllokuar në mosmarrëveshjen me Bullgarinë.

Kryeministri Hristijan Mickoski këmbëngul se vendi i tij nuk mund të pranojë ndryshimet kushtetuese sipas kërkesave të Sofjes, ndërsa Bullgaria nuk tregon shenja tërheqjeje nga marrëveshja e vitit 2022.

Për këtë arsye, Shkupi do të përpiqet në Tivat të sigurojë më shumë mbështetje politike nga partnerët europianë për të dalë nga ngërçi që e ka bllokuar prej vitesh.

Kosova dhe Bosnja presin sinjale nga Brukseli

Kosova mbërrin në samit në një situatë të ndërlikuar politike, me çështje të pazgjidhura në raport me Serbinë dhe tensione të brendshme pas zgjedhjeve. Prishtina pret që Bashkimi Evropian të japë sinjale më të qarta për perspektivën europiane dhe heqjen e pengesave politike që vazhdojnë të ekzistojnë.

Ndërkohë, Bosnja dhe Hercegovina hyn në samit e rënduar nga kriza institucionale dhe paralajmërimet e vazhdueshme nga Brukseli se bllokadat e brendshme po rrezikojnë seriozisht rrugën drejt integrimit.

Vuçiqi mes Brukselit dhe Pekinit

Megjithatë, vëmendja më e madhe pritet të përqendrohet te presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndërsa Mali i Zi dhe Shqipëria po regjistrojnë përparim konkret në negociatat me Bashkimin Evropian, Serbia prej vitesh po qëndron në vend. Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare vazhdimisht kanë ngritur shqetësime për sundimin e ligjit, lirinë e medias, pavarësinë e institucioneve dhe mungesën e harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së.

Një nga problemet më të mëdha mbetet refuzimi i Beogradit për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërsa në të njëjtën kohë po thellon bashkëpunimin strategjik me Kinën.

Pak ditë para samitit në Tivat, Vuçiq vizitoi Pekinin, ku u dekorua nga presidenti kinez Xi Jinping me Urdhrin e Miqësisë. Gjatë vizitës u nënshkruan afro 30 marrëveshje, ndërsa presidenti serb deklaroi se “nuk mund të imagjinonte një ditë më të bukur në karrierën e tij politike”.

Analistët vlerësojnë se Brukseli do të analizojë me kujdes këto mesazhe politike, ndërsa agjencia Bloomberg ka paralajmëruar se Serbia po afrohet gjithnjë e më shumë me “vijat e kuqe” të Bashkimit Evropian sa i përket marrëdhënieve me Kinën.

Për këtë arsye, samiti i Tivatit mund të shndërrohet në një operacion diplomatik për Vuçiqin. Pas ditëve të kaluara duke demonstruar afërsi me Pekinin, presidenti serb do të gjendet përballë liderëve kryesorë europianë duke u përpjekur të bindë se rruga europiane e Serbisë ende ekziston – edhe pse gjithnjë e më pak njerëz në Bruksel duket se e besojnë këtë. /Nova

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Artikujt ushqimore pësuan rritje të ndjeshme të importeve për 4-mujorin…