Shqipëria pëson disfatë nga Suedia

25 mars 2024 | 22:33

Një ndeshje e mirë e zhvilluar nga Kombëtarja shqiptare nuk ka mjaftuar dhe një rezultat negativ me humbjen 1 me 0 ndaj Suedisë është vulosur në fund të takimit.

Kuqezinjtë e Sylvinhos luajnë mirë, bukur, krijojnë raste, por mungon finalizimi.

Suedisë më pragmatiste i mjafton një krosim i evitueshëm në zonë dhe një gjuajtje jo e pakapshme për Strakoshën, për të vulosur gjithçka.

Pjesa e parë ishte ritmike, emocionuese, por me porta të paprekura.

Thuajse gjithçka ndodhi në 45 minutat e para, përveç një goli, ku fillimisht ishin suedezët, të cilët rrezikuan portën shqiptare.

Madje, Forsberg goditi edhe shtyllën në një çast, duke dhënë iluzionin se ndeshja mund të zhbllokohej.

Gjithçka vijoi e qetë për disa minuta, deri kur kuqezinjtë morën frenat e lojës në dorë dhe nisën një falë sulmesh, ku fillimisht Brojës iu mohua një 11-metërsh, pas një rrëzimi në zonën kundërshtare.

Teksa, po Broja, arriti të shënonte një gol pas një aksioni të bukur, por u desh të anulohej për shkak të një pozicioni jashtë loje.

Qazim Laçi ishte gjithashtu protagonist, me një aksion të mirë, por me goditjen jashtë kuadratit.

Në 10 minutat e fundit të pjesës së parë ndeshja u zhvillua më e qetë, me aksione sporadike.

Me fillimin e pjesës së dytë, suedezët e nisën në sulm, por u shuan shpejt.

Kuqezinjtë morën sërish lojën nën kontroll, krijuan raste, shkuan disa herë pranë golit, por përsëri diku për mungesë fati e diku për finalizime të nxituara, nuk u arrit goli.

Pikërisht kështu përfituan nordikët në minutën e 62-ë, ku me një kros të Kulusevski dhe goditje me kokë të Nilsson, kaluan përpara.

Tërheqja suedeze ishte e pashmangshme. Loja shqiptare ishte bërë e bukur dhe me aksione të shpejta, por sërish nuk u arrit të shkohej drejt një barazimi të merituar.

Dy sfida me rezultate zhgënjyese, por ndoshta me shumë mësime të nxjerra nga tekniku Sylvinho dhe ekipi, të cilat do të shërbejnë si prova dhe rikujtuesë gjatë finaleve të EURO 2024.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka…