Shqiptarët bënë luftë të drejtë për mbrojtjen e tokave autoktone etnike

15 dhjetor 10:57

Shkruan: Prof. Nexhat Mustafë Ballanca-Dibra

Me rastin e 55-vjetorit të veprimtarisë atdhetare të poetit, prozatorit, romansierit, publicistit, kronikut mr. Behram Hotit (5)

Vijon skica për një mësues tjetër, veteran të arsimit në Rezallë të Skenderajt, Hajdin Gashin. Ai përshkruhet si atdhetar, mësues e pedagog, vizionar. Ishte ndër të parët që kuptoi tradhtinë e PKJ-së ndaj popullit shqiptar. I përjetoi të gjitha torturat dhe mundimet shpirtërore dhe fizike. Ai ishte mësues i nxënësve, por edhe mësues i mësuesve, përhapës i dijes edhe përmes kurseve të ndryshme.

Shkrimet e Behram Hotit janë të frymëzuara nga materiale burrërore të trojeve të ndryshme të Arbërisë. Kësaj radhe duhet të ceket shkrimi për Ramadan Rexhën i cili ka qenë kryetar i Komitetit të Rinisë Shqiptare të Vushtrrisë me rrethinë, në vitin 1944, nënsekretar i prefektit Ibrahim Lutfisë për Mitrovicë (1941-1944), bashkëluftëtar i Shaban Palluzhës dhe komisar i Bataljonit IV në Luftën e Drenicës (1945). Prej vitit 1945 deri në vitin 1960 i burgosur në kazamatin e Mitrovicës së Sremit.

Në vitin 1961 burgoset për herë të dytë si luftëtar i lirisë kombëtare…”. Kjo është pasqyra tejet e shkurtër apo teksti konciz për punimin e një skice për këtë atdhetar të devotshëm. Shqiptarët kurrë dhe në asnjë kohë nuk e shprehën dëshirën grabitqare, plaçkitëse apo pushtuese në dëm të tjetrit. Ata vazhdimisht bënë luftë të drejtë për mbrojtjen e tokave autoktone etnike. E mu kjo nevojë e kohës e lindi edhe Ramadan Rexhën. Behram Hoti nuk shkroi shënime të tepërta për këtë atdhetar, ngase me to do të mbushte faqe e faqe të tëra. Ceku vetëm funksionet që i ka kryer gjerë në burgimin e fundit. Edhe ato janë të shumta! Ai gati gjatë tërë jetës ka ndarë fatin e popullit. “Jeto si vetë populli, me vuajtje e mundime”, kishte thënë Ramadan Rexha.

Në 159-vjetorin e lindjes të Jakup Ferit, Behram Hoti ia kushtoi shkrimin “Kohë e trazirave dhe e mbrojtjeve”, këtij trimi sypatrembur. Ishte njëri nga trimat që
historia e jonë kombëtare nuk i harron dot! Ishte në vazhdën e Oso Kukës, Dedë Gjo Lulit, Ahmet Selacit, Mic Sokolit… etj. U shkollua në oda ku fitoi urtësinë, burrërinë, trimërinë, bujarinë shqiptare. U lind e u rrit, jetoi në kohë luftërash për ruajtjen e trojeve shqiptare nga shovenët e Malit të Zi. Luftoi për ruajtjen e tyre në trungun amë shqiptar. Ishte pjesëmarrës i Kuvendit të Madh të Prizrenit, më 1878. Në revistën Dituria Islame të Prishtinës Behramn Hoti boton dy skica apo portrete.
Njërën për Mulla Rifatin e tjetrën për Arif (Sherif) Zekajn (1890-1976).

Rifati ka qenë anëtar (sekretar) i Kryesisë së Islihatit (Këshilli për Pajtim) Drenicë.
Predikues fetar dhe atdhetar i pashembullt. Arifi, po ashtu ishte preidikues fetar, ishte atdhetar i devotshëm, luftëtar i brigadave antikomuniste drenicake. Dhënia e këtyre dy figurave fetare myslimane dhe atdhetare, si portrete, ngrenë lartë atdhedashurinë krahas asaj fetare. E këtu, merita e Behram Hotit është e madhe.

Në vazhdën e krijimit të skicave apo portreteve të njerëzve të dalluar të Drenicës, Behram Hoti jep portretin e Azem Hajdin Xanit, ish luftëtar i Brigadës së Drenicës, përmes shkrimit “Nuk deshëm ta lëmë popullin të pambrojtur”. Ishte kjo brigadë që gjatë Luftës së Dytë Botërore shpëtoi Drenicën nga shfarosja serbo-sllave dhe partizanoçetnike, ishte kjo brigada e komandant Shaban Polluzhës me shokë. Për ta përsëritur figurën e dhënë për mrekulli të këtij luftëtari (Azem Hajdin Xanit), do të duhet të përsërisim një pjesë të madhe të shkrimit të Autorit! Por vetëm parafrazohet fundi i shkrimit: Shabani (Shaban Polluzha – N. B.) i përgjigjet Fadilit (Fadil Hoxhës – N.B.): Fadil, kurrë nuk do ta lëshojmë Kosovën, sepse nuk e mbajte fjalën e dhënë në Skenderaj! Na preve në besë …

Ndër shqiptarët e Kosovës emri shotë është sinonim i burrërisë femërore, trimërisë e bujarisë, veçmas qëndresa e tragjike e nënave dhe motrave shqiptare. Për këto veti të femrës shqiptare kanë shkruar poezi, prozë e dramë. Për një shotë të tillë, gjegjësisht për tri shota të tilla, flet shkrimi i shkrimtarit Behram Hotit “Tri Shotat e Karadakut”. Po ja, bile janë edhe nga Karadaku. Shota e parë, që na e bëri të njohur autori është Baftije Seferi, bashkëshortja e luftëtarit të madh Idriz Seferi. Edhe kjo, si edhe burri i saj, kurrë nuk e hoqi pushkën nga krahu dhe kurrë nuk iu nda, edhe ndër luftëra kryetrimit të Karadakut.

Shota ishin edhe motrat Pishari nga Tërsteniku, Raba dhe Ajetja të cilat heroikisht qëndruan, deri në vdekje. Raba, motra e madhe, më lopatë e vrau cenuesin (dhunuesin e mundshëm) bullgar (ndonëse plumbat e rrëmbyen atë). Motra e dytë me sopat vrau bullgarin e dytë, duke shpaguar motrën e madhe. Për ta përmbyllur personalitetin e këtyre dy motrave shqiptare, shkrimtari përdor këngën popullore:

Lisi ungjet po ban hije
Mi dy motrat trup selvije
Mi dy motrat n’Terstenik
Qi i pren shkiet n’sakicë
Kjo Ajetja po pisket:
“Qindro motër, ban gajret
Ni zabit e myta vet
Ni zabit e ni vojnik
Qi na erdhën n’kapixhik
Raba qet, Ajetja pret…

Behram Hoti për shkrimet e tij shkonte si bleta, lule më lule, thithte nektarin dhe atë e vëntë në letër. Kësaj radhe këtë nektar ia dedikoi pleqnarit të Bukoshit -Liman Kadollit. Ky shkrim është si shkrim rasti apo shkaku ngase pleqnari i Bukoshit, Liman Kadolli, kishte vdekur vetëm pak ditë para botimit të shkrimit, më 5 shtator 1997. Babai i tij kishte rënë, së bashku me Jakup Ferrin, në mbrojtje të trojeve shqiptare nga zaptuesit malazezë (në Betejën e Nikshiqit). Shtëpia apo kulla e Kadollajve ishte bërë tryezë ku merreshin vendimet për dalje në mbrojtje të atdheut.

Ishte anëtar i LNDSH-së, mik dhe bashkëveprimtar i Anton Çettës. Ishte pajtimtar i gjaqeve në Drenicë. Me portretizimin e këtij atdhetari plotësohet plejada kombëtare e martirëve, trimave e pleqnarëve. Mantelbardhave të ish spitalit ushtarak të UÇK-së në Zonën Operativë të Drenicës. Behram Hoti ua kushtoi shkrimin “Mantelbardhat e maleve”. Është ky një kontribut i krijimit të galerisë së personazheve, ku më pak e ku më shumë, me rëndësi kombëtare.

Kësaj radhe Behram Hoti jep dy portrete heroinash të kohës sonë, dy mantelbardha: Muzafere Kastrati dhe Hyrë Istogu, trimëresha këto të luftës sonë të fundit. Nuk është më e rëndë të luftosh me armë kundër armikut sesa të luftosh me plagët dhe vdekjen, “t’ia marishj asaj” jetën nga dora dhe t’ia rikthesh pacientit. Këto dy trimëresha, krahas edhe të tjerave, ishin në vijën e parë të frontit të luftës, gjegjësisht të vdekjes. Luftonin me të, krahas dr. Fadil Bekës. E ata janë ankuar, që asokohe, se përse koleget e tyre nga Mitrovica apo Prishtina, nuk vinin t’i ndihmonin në këtë rrugë të tyre të shenjtë!

Një skicë për punim të një portreti është shkrimi “Nëna me shtatë fëmijë”, në të cilin Behram Hoti përshkruan një nënë shqiptare, nënë të shtatë fëmijëve. Ajo përjeton gjëra të tmerrshme nga kunati i saj (vëlla i burrit) vetëm e vetëm, që t’ua merr hisen e pasurisë së tyre. E hisja gati gjithmonë ka qenë mollë sherri ndër familjet shqiptare. Nëna është e veshur me tesha gjysmë katundarçe, me opinga dhe e mbështjellë me një “mahramë”.

Edhe burri i saj kishte veshë opinga të shqyera. E ka një vëlla… por ai nuk është vëlla… Pra burri i saj e ka një vëlla i cili me vetitë e veset e veta nuk e meriton t’i thuhet vëlla. Ai e rreth vëllaun e vet dhe gruan e vëllaut. Këta të dy autorit i duken si dy mundimçarë.

Katundi ua kishte ndarë vëllezërve përgjysmë pasurisë por njëri vëlla deshi ta përvetësojë edhe hisen e vëllait tjetër. Nëna e shtatë fëmijëve më fliste për vuajtjet, për rrahjet, për fyerjet, për stërmundimet… që ia kishte bërë kunati i saj, shkruan autori. Ata të dy duronin por djali madh i tyre nëntëvjeçar kishte thënë se: “Nuk e duroj me dorën e tij që t’i sjellë babait”… Pra, gjenerata e re nuk duron padrejtësi, veçmas kur iu bëhen prindërve të tyre. U dalin në mbrojtje. Po lakmia e korit burrin, kanë thënë të moçmit.

Kronika apo fletëza nga historia (e pashkruar)

Erdhi dita e madhe, 11 marsi 1981. Kjo ditë është me të vërtetë e madhe.
Kanë shkruar, shkruajnë dhe do të shkruajnë breza të tërë të letrarëve kosovarë për këtë ditë të madhe. Me këtë ditë studentët dhanë sinjalin e parë për nyjën e revolucionit. Ka revolucione popullore, kulturore dhe s’di se çarë. Ky i ynë i këtij viti ishte revolucion i zgjimit të ndërgjegjes sonë kombëtare, revolucion që shqiptarit të Kosovës ia nxori gjumin nga humnerat e syve të mugulluar e mjegulluar të tij, iu groposi zemrën, edhe ashtu boshe, për të nxjerrë që andej dashurinë për lirinë. Behram Hoti, po ashtu, kësaj dite ia kishte kushtuar një shkrim gazetaresk që s’ka qenë i tillë por një vaj i bërë me plot krenari e dinjitet. Në të përshkruhen, shkurtimisht, ngjarjet e asaj dite: Prishtina nuk kishte pas qenë e qetë, e as Universiteti në këtë qytet. Si njerëzit, nga të cilët atdheu pret shumë, ata aktivitetin e vet kryengritës e nisën me kërkesa së pari për një jetë dinjitoze studentore, me rritjen e bursave dhe kredive të studimeve dhe me ngritjen e standardit. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paraqitjet e futbollistit shqiptar, Granit Xhaka në ndeshjet e fundit…