Shqiptarët britanikë dhe mbreti i tyre

09 shtator 2022 | 12:09
Shkruan: Daut Dauti
Shqiptarët në Britani të Madhe janë komuniteti më i ri dhe më i vogli në Evropë, por janë më të vyeshmit dhe më të përparuarit se kudo tjetër. Shqiptarët në këtë vend i gjenë në majat e secilës veprimtari.
Askund tjetër në Evropë shqiptarët nuk e ndjejnë veten si në shtëpi të tyre, sikur në Britani. Kjo nuk është vetëm për shkak të strukturës së shqiptarëve që janë vendosur në këtë vend, por është më shumë për shkak të ambientit që u ka ofruar shteti britanik, atdheu i tyre i dytë.
Shqiptarët në këtë vend janë tërësisht të vetëdijshëm për këtë fakt dhe i janë falënderues këtij vendi që u ka mundësuar jetë të dinjitetshme dhe prosperitet të papengueshëm.
Prandaj, nuk është aspak për t’u habitur nëse këtyre ditëve këta shqiptarë shprehin pikëllim për vdekjen e Mbretëreshës Britanike, Elizabeth II. Nuk është aspak për t’u habitur pse shqiptari i Britanisë së Madhe e konsideron mbretëreshën të veten dhe shprehë dhembje këtyre ditëve.
Mbreti Charles III, sa ishte princ, ka qenë i pari dhe i vetmi, nga dinastia më e madhe, më e vjetër dhe më e fuqishme, që e ka vizituar Kosovën.
Madje, ai është zotuar se vendi i tij do të vazhdoj ta ndihmoj Kosovën. Mbreti Charles III, ka qenë në kontakt edhe me komunitetin shqiptar në Britani dhe i ka falënderuar për kontributin që japin me punën e tyre në jetën e përditshme të këtij vendi shumë të rëndësishëm.
Gjatë historisë nuk ka patur ndonjë mbret evropian që i ka vizituar tokat shqiptare si mysafir e mik i nderuar. Nuk ka patur as raste që ndonjë monark evropian të fliste për shqiptarët, as mirë e as keq.
Kjo është për shkak se për ta, shqiptarët kanë qenë të padukshëm dhe të pavlerë.
Tashti gjërat kanë ndryshuar. Mbreti britanik, jo vetëm që di për shqiptarët, por edhe ka fjalë të mira për ta kurse shtetin e fuqishëm që e përfaqëson ai, është mbrojtës i Kosovës. Kjo nuk është punë e vogël. Nuk është pak të dalësh në qendër të ndritur nga ndonjë kënd i errët dhe i ftoftë e të ndjehesh mirë. Të mos harrojmë: tërë këtë proces e ka filluar Tony Blair.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Ballkanit e lëshoi fitoren nga duart në minutat…