Shqiptarët çdo ditë e më shumë po zgjohen dhe konsolidohen

21 tetor 2018 | 17:11

Gani Morina

Të nderuar pjesëmarrës të kësaj ceremonie përkujtimore, më lejoni që në emër të familjes Morina t’u shpreh falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për prezencën tuaj sot, duke na nderuar ne, e mbi të gjitha veprën e birit, vëllait e xhaxhait tonë Haki Morina.
Po ashtu, më lejoni të falënderoj qytetarët e Gllarevës, Klinës me rrethinë dhe gjithë Kosovës, si dhe gjithë aktivistët e asaj kohe, pa dallim, për organizimin e pashembullt shtetëror të ceremonisë së varrimit të dëshmorit, Haki Morina, tash e 27 vite më parë, meqë nuk kemi pasur rastin t’i falënderojmë kështu publikisht.

Faleminderit gjithë atyre vajzave dhe djemve që për vite të tëra, në rrethana të rënda të okupimit mbajtën gjallë Shoqërinë Kulturore-Artistike, që u themelua më 1993, e që mbante emrin Haki Morina.
Aktivistët dhe aktivitetet e kësaj shoqërie shfaqnin mllefin kundër pushtuesit, dhe gjithmonë ishin një kushtrim lufte.
Për këtë lapidar, kryesia e fshatit Gllarevë, kishte marrë iniciativë për ta ngritur qysh më 1993-n, por këtë nuk e pati pranuar vëllai ynë, Lutfiu. Ai në një mbledhje fshati tha: “Nuk është koha për lapidare, edhe po ta pyesnim Hakiun, ai do të na thoshte: Me ato para blini armë”.
Kjo pasoi me një heshtje, që ishte pohuese.

Më lejoni që ta falënderoj Kuvendin Komunal të Klinës, që në vitin 2015 dha lejen për ngritjen e këtij lapidari, këtu në pronën e komunës.
Po ashtu Kuvendin Komunal të Klinës në shenjë nderimi e respekti për veprën e dëshmorit ka emërtuar rrugën që shtrihet nga magjistralja Prishtinë-Pejë në drejtim të lagjes ku u lind dhe u rrit Haki Morina.
Falënderojmë të gjithë ata që ofruan ndihmë, sado simbolike, për ngritjen e lapidarit, emrat e të cilëve do të zënë vend në një libër që do të botohet për veprën e Hakiut, si dhe një dokumentar, i cili së shpejti do të realizohet, e ku do të flasin dëshmitarë okularë e ku do të zbardhen shumë gjëra të pathëna.
Ata që bënë e përpiluan dosje dje, kundër djemve më të mirë të Kosovës, po vazhdojnë edhe sot me kurthe e shantazhe kundër djemve të lirisë, duke vepruar si dorë e fshehtë mbase edhe të infiltruar ndonjëherë edhe në poste institucionesh.

Fotografia e Ismet Sylejmani

Por, ata duhet ta dinë se tentakulat e tyre, ato lozë pocerrke, ne e dimë ku i kanë rrënjët. Janë të kota akrobacionet e tyre.
Shqiptarët sot, në Ballkan kanë dy shtete të pavarura, të cilat dita-ditës po konsolidohen, derisa Maqedoninë e kemi përgjysmë, e në dorën tonë është çelësi i ekzistencës së saj. Shqiptarët edhe përreth trungut të shteteve të tyre të pavarura çdo ditë e më shumë po zgjohen e konsolidohen.
Këto fitore e ato që do të pasojnë janë rezultatet i gjakut të derdhur për liri ndër breza, si dhe mbështetjes së miqve tanë.
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Lavdi dëshmorit Haki Morina
Faleminderit!

(Autori është vëlla i dëshmorit Haki Morina. Ky fjalim është mbajtur më 20 tetor të këtij viti, me rastin e 27-vjetorit të rënies së dëshmorit Haki Morina dhe zbulimit të lapidarit të tij)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njëri nga problemet më të mëdha të Prishtinës është komunikacioni…