Shqyrtohet mundësia që nxënësit të dërgohen dy herë brenda vitit në teatër

24 maj 2019 | 11:39

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim Këshillin iniciator të aktorëve të Kosovës të kryesuar nga aktori Enver Petrocvi, me të cilët ka diskutuar për idenë e nxjerrjes së një udhëzimi administrativ i cili do të bënte obligativ bashkëpunimin e shkollave me teatër, duke i obliguar ato që të paktën dy herë në vit fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e dymbëdhjetë t’i dërgojnë në teatër.

“Kjo iniciativë ka për qëllim që përmes të shkuarit në teatër, të ndërrohet qasja dhe mendësia e fëmijëve, në kohën kur është krijuar një lidhje e madhe në mes të fëmijëve dhe pajisjeve teknologjike dhe është rritur numri i dukurive negative në shkolla. Ky aktivitet po ashtu do të ndikonte në ngritjen e cilësisë në arsim dhe përballimin e vështirësive në procesin mësimor”, ka deklaruar Bytyqi.

Ministri Bytyqi ka thënë se e ka mirëpritur këtë iniciativë dhe është shumë e rëndësishme gjetja e mënyrës më të përshtatshme për ta bërë të zbatueshme këtë ide, fillimisht përmes nxjerrjes së udhëzimit administrativ dhe më pas përmes një bashkëpunimi të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, e cila do të krijonte mekanizmat e nevojshëm që fëmijët të dërgohen në teatër apo teatri të dërgohet në zonat, ku një gjë e tillë do të krijonte vështirësi financiare apo logjistike.

Sipas ministrit, me fillimin e zbatimit të mësimit tërëditor në kuadër të të cilit janë të parapara edhe aktivitete jashtëkurrikulare, dërgimi i fëmijëve në teatër do të ishte më lehtë i zbatueshëm.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë se do të dorëhiqet…