Shtatori do të jetë vendimtar për fatin e kësaj qeverie

15 korrik 2019 | 16:00

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Shemsi Syla, ka vlerësuar se me këtë përbërje të qeverisë dhe me këtë formë të qeverisjes zhvillimet politike vetëm sa do të degradohen.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se nuk ka asnjë mundësi që të ketë rezultat në ndonjë fushë.

Sipas Sylës, ky koalicion qeverisës punon sot për nesër dhe ka një moskoordinim total mes vete.

Megjithatë, ai ka thënë se muaji shtator do të jetë vendimtar për fatin e kësaj qeverie.

Syla ka theksuar se në vjeshtë më parë do të ketë shpërbërje të Kuvendit sesa rrëzim të qeverisë përmes mocionit. Ai ka thënë  se opozita e ka detyrë jetike rrëzimin e kësaj qeverie.

“Epoka e re”: Z. Syla, si jeni duke i parë zhvillimet politike në vendin tonë? Sa jeni optimist se Kosova mund të ecë në rrugën e duhur?
Syla: Me këtë përbërje të qeverisë dhe me këtë formë të qeverisjes zhvillimet politike vetëm sa do të degradohen. Nuk ka asnjë mundësi që të ketë ndonjë rezultat në ndonjë fushë. Ky koalicion qeverisës punon sot për nesër dhe pushtetin e ka shndërruar në feude, ku secili subjekt politik bën çfarë të dojë me ministritë të cilat udhëheq, kemi një moskoordinim total. E në vlugun e këtij mishmashi qeverisës, tash ka edhe akuza e kundërakuza publike ndërmjet partnerëve të koalicionit. Dëm i madh i është shkaktuar Kosovës, sidomos në politikën e jashtme. Emërimet e ambasadorëve dhe stafit diplomatik janë vërshuar nga militantët partiakë pa asnjë dije dhe përgatitje sa i takon përfaqësimit të shtetit dhe njohjes profesionale të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Për herë të parë që nga pavarësia, Kosova nuk ka qëndrim unik as sa i takon dialogut me Serbinë.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej premtimeve, Kosova vazhdon të mos ketë liberalizim të vizave. Po ashtu, në këta dy vjet ka pasur ngecje të njohjeve dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Pse mendoni se po ndodh një gjë e tillë?
Syla: Sa i takon liberalizimit të vizave duhet të jemi korrektë, nuk është i gjithë faji i qeverisë. Në kuadër të BE-së, Kosovën nuk e kanë njohur pesë shtete, kjo ka ndikuar shumë që brenda BE-së të mos ketë konsensus për liberalizimin e vizave. Duke munguar ky konsensus brenda BE-së, zyrtarët e Brukselit, duke e parë që Kosova përfaqësohet nga njerëz që nuk janë në gjendje të argumentojnë e ta mbrojnë plotësimin e kushteve për liberalizim, kanë shtuar edhe kushte të tjera që në parim nuk kanë asnjë lidhje me lëvizjen e lirë. Por këtij kalkulimi të BE-së natyrisht se i ka ndihmuar shumë keqqeverisja e sidomos rritja e korrupsionit e kapja e sistemit të drejtësisë nga politika. Kjo qeveri, edhe pse i ka plotësuar detyrat që i ka paraparë BE-ja për liberalizimin e vizave, duke e trashur korrupsionin e duke pasur kontroll absolut në sistemin e drejtësisë, e ka përligjur hezitimin e disa vendeve për të mos dhënë pëlqimin për liberalizim të vizave.

“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për këta gati dy vjet të qeverisjes dhe për punën e Kuvendit si dhe rolin e opozitës?
Syla: Në shtator bëhen dy vjet nga fillimi i punës së kësaj qeverie e cila doli nga një koalicion që synim e kishte fitimin e pushtetit e jo programin qeverisës për zhvillim e avancim të shtetit. Pra, kemi pasur dhe kemi një qeveri pa program dhe pa prioritete. Siç dihet, koalicioni parazgjedhor ndërmjet PDK-së, AAK-së e Nismës u formua duke bërë pazare me poste. Po mos t’i ofrohej posti i kryeministrit Haradinajt nuk do të kishte koalicion fare ndërmjet këtyre subjekteve politike, prandaj nuk kemi asnjë zhvillim në asnjë fushë, por vetëm përkeqësim në arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik e ç’akordim total në politikën e jashtme. Pra, kemi një qeveri që e ka shumëfishuar nepotizmin e klientelizmin në çdo institucion, kurse korrupsionin e ka institucionalizuar deri në atë shkallë sa vidhet publikisht dhe askush nuk ndëshkohet. Po ashtu, edhe puna e Kuvendit të Kosovës ka shënuar rënie drastike. Ka qenë praktikë që gjatë javës, çdo të enjte, të ketë seanca të rregullta parlamentare. Kjo praktikë e punës ka dy mandate që nuk përfillen fare por, në këtë mandat, për çudi, më shumë kemi seanca të jashtëzakonshme sesa seanca të rregullta ku diskutohet e aprovohen ligje. Derisa opozita ishte shumë e fuqishme në fillim, dalja e grupit të deputetëve nga radhët e Vetëvendosjes dhe formimi i Partisë Socialdemokrate e dobësoi në radhë të parë Vetëvendosjen si subjekt politik sa i takon përfaqësimit dhe fuqisë parlamentare, gjithashtu krijoi një hendek edhe brenda vetë opozitës. Megjithatë, kohët e fundit kemi një përafrim të qëndrimeve edhe brenda subjekteve opozitare dhe një presion në rritje në raport me pozitën dhe keqqeverisjen në vend. Opozita ka kundërshtuar çdoherë ligjet e vendimet e këqija, por nuk ka pasur numra për t’i penguar ato në shumë raste. Aktualisht, opozita ka një detyrë jetike gjatë këtyre muajve: rrëzimin e kësaj qeverie. Nëse e arrin këtë, i bëhet një shërbim shumë i madh Kosovës.

“Epoka e re”: Opozita është duke u përpjekur që t’i sigurojë votat për ta rrëzuar këtë qeveri dhe ka shpresa që kjo të ndodhë në shtator. Do të mund të realizohet ky skenar?
Syla: Në këtë gjendje ku ndodhet Kosova, opozita ka një detyrë jetike: që gjatë këtyre muajve, përmes votëbesimit, ta rrëzojë këtë qeveri. Nëse e arrin këtë, i bëhet një shërbim shumë i madh Kosovës. Me shumë gjasë, muaji shtator do të jetë vendimtar sa i takon fatit të kësaj qeverie. Siç po shihet, edhe brenda vetë koalicionit qeverisës ka mosmarrëveshje dhe ftohje të raporteve. Qeveria është duke mbijetuar jo falë rezultateve dhe punës që po bën, por falë frikës së humbjes së pushtetit. Haradinaj po mendon se ka krijuar disa adute të forta gjatë qeverisjes që do t’i shpërblehen me votë, në rast se ka zgjedhje. Arritje e madhe po i duket  sidomos vendosja e taksës ndaj produkteve serbe. PDK-ja po frikësohet nga zgjedhjet sepse ka humbur shumë vota dhe nuk është në garë për të dalë partia e parë, po përpiqet që ta përmirësojë imazhin e saj përmes premtimeve populsite dhe është në kërkim të partnerëve për një koalicion parazgjedhor. Nisma, nga ana tjetër, me mjeshtëri po e luan rolin e viktimës si pjesë e këtij koalicioni duke theksuar se është bërë pa dëshirën e saj dhe herë pas here jep shenja pakënaqësie dhe kërcënim për prishje të koalicionit. Në fakt, të tria: PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma po sillen si të viktimizuara karshi opinionit publik, por hajninë e korrupsionin i kanë të përbashkëta natë e ditë. Duke pasur parasysh mungesën e numrave të opozitës dhe kalkulimet që mund të ndodhin brenda partive opozitare, unë mendoj se në vjeshtë më parë do të kemi shpërbërje të Kuvendit sesa rrëzim të qeverisë përmes mocionit. Shpërbërja e Kuvendit do të ndodhë në mënyrë që partitë që janë në koalicionin qeverisës ta ruajnë një lloj bashkëpunimi, sepse shpërbërja e Kuvendit nuk është goditje ndaj kryeministrit, por një shpërndarje e fajësisë dhe keqqeverisjes. Argumenti do të jetë se Kuvendi nuk është funksional. Pozitës i mungojnë numrat, prandaj funksionimi normal është bërë i pamundshëm.

“Epoka e re”: Z. Syla, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka kthyer në pikën zero dialogun me Serbinë. Si e shihni tash e tutje vazhdimin e këtij procesi? Prisni që në vjeshtë të ketë një dialog me rezultate konkrete?
Syla: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka kthyer në pikën zero ekipin negociator, jo dialogun. Dialog gjithsesi do të ketë, por për vazhdimin e tij po ndikojnë disa faktorë. Sa i takon dialogut, kemi konfrontim të hapur president – kryeministër, që do të thotë edhe dy opsione: Asociacion me kompetenca ekzekutive apo shkëmbim territoresh. Në anën tjetër, ende nuk dihet cili do të jetë fati i kësaj qeverie dhe as faktori ndërkombëtar nuk e ka besimin e mjaftueshëm se kjo klasë politike mund të dialogojë suksesshëm fatin e shtetit që e përfaqëson. E derisa kemi një bllokim të dialogut nga të dyja palët, lobimet për gjetjen e një zgjidhjeje ndërmjet Kosovës e Serbisë po vazhdojnë. Aktualisht janë dy opsione: Asociacioni apo shkëmbimi i territoreve. Ky lidership aktual nuk ka opsion të tretë. Nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë dhe nëse partitë opozitare arrijnë që ta fitojnë pushtetin, atëherë do të kemi edhe qartësim të pozicionit të Kosovës karshi dialogut, por edhe qasje krejt ndryshe sa i takon marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka arritur në Beograd për…