Shtesat e punëtorëve shëndetësorë, FSShK-ja kërcënon Kurtin me padi

02 shtator 2021 | 16:27

Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK) në mbledhjen e mbajtur të enjten pas diskutimit në lidhje me situatën e krijuar me pandeminë Covid-19 dhe vendimeve të Qeverisë të marra më 25 gusht  në lidhje me shtesat në pagë për të punësuarit në sektorin publik ka parashtruar disa kërkesa e ka paralajmëruar padi ndaj qeverisë.

FSShK-ja ka kërkuar që shtesat mbi pagë të rishqyrtohen dhe të merret vendim për rritjen e shtesave të cilat duhet të paguhen në mënyrë retroaktive nga muaji qershor 2021 deri në përfundimin e pandemisë, jo më e ulët se 300 euro në të kundërtën “pason padia për shkelje të Ligjit nr. 07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës”.

Po ashtu, FSShK-ja ka kërkuar që urgjentisht të miratohet Ligji për pagat dhe i njëjti të fillojë së implementuari nga muaji janar i vitit 2022.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka bërë me dije se pret përgjigje deri më 13 shtator nga kryeministri Kurti dhe se nëse ai nuk reflekton do të ndërmarrin masa.

“Nëse kryeministri nuk reflekton, FSShK-ja do të ftojë të gjitha organizatat simotra që të na bashkëngjiten në manifestimin tonë sindikal. Duke i shprehur ngushëllime të gjitha familjarëve të  viktimave nga Covid-19 dhe të gjithë infektuarve shërim të shpejtë si pasojë e keqmenaxhimit, i lutemi popullatës që të vaksinohen dhe të na mirëkuptojnë sepse edhe ne jemi njerëz e kemi familje”, ka njoftuar FSShK-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës…