Shtesat për fëmijë, i vetmi premtim i Kurtit që u realizua në tërësi

25 mars 2023 | 20:28

Nga gjithë premtimet e shumta që ka bërë kryeministri Albin Kurti, dikur si opozitar, i vetmi që është realizuar plotësisht është ai për shtesa të fëmijëve.

Që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar, fëmijët deri në moshën 16 vjeçare mund të jenë përfitues e shtesave prej 10 e 20 eurove, varësisht nga mosha e tyre.

Edhe pse shpesh u kritikuan për shumën jo aq të mjaftueshme financiarisht, në fakt kjo është hera e parë që ndahen shtesa për fëmijë nga shteti. Ndërsa, në buxhetin e miratuar në Kuvend, Qeveria Kurti për vitin 2023 ka ndarë 60 milionë euro për shtesa për lehona dhe fëmijë.

Vlen të theksohet se Kurti edhe gjatë prezantimit të programit qeveritar për mandatin e tij 4-vjeçar, kishte ndarë 45 milionë euro shtesa për fëmijë apo shtesa për lehonat, të cilat janë po ashtu përfituese të projekteve të mirëqenies sociale të propozuara nga Qeveria Kurti II.

“Do të fillojmë zbatimin e programit të shtesave për fëmijët. Fëmijët nën moshën 2 vjeçare do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 eurove në muaj, ndërsa fëmijët nën moshën 16 vjeçare, do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 10 euro në muaj.

Do të ndryshojmë pushimin e lehonisë dhe atë prindëror, në atë mënyrë që të dy prindërit ta kenë këtë mundësi. Për nënat e papuna, do të paguajmë pagën minimale prej 250 euro, për 6 muajt e pushimit të lehonisë”, pati thënë Kurti teksa ka prezantuar programin qeveritar 2021-2025.

A janë të mjaftueshme këto shtesa?
Bukurie Beqiri, është nënë e dy fëmijëve. Ajoi ka thënë Nacionales se është shumë e lumtur që shteti ka menduar për fëmijët. Ndonëse thotë se kjo nuk është një shumë e mjaftueshme për të pasi çmimet janë rritur, thotë se është një hap i duhur që në një të ardhme këto shtesa mund të rriten.

“Edhe pse nuk janë të mjaftueshme, jam shumë e lumtur që Qeveria e Kosovës ka menduar për fëmijët të paktën t’i subvencionojë me aq sa ka mundësi. Unë si nënë them se nuk janë të mjaftueshme pasi rritja e çmimeve e ka vështirësuar edhe jetesën tonë, mirëpo, përkundër që s’kemi marrë asnjëherë fare është shumë mirë. Unë mendoj se përveç që është hera e parë që jepen shtesa për fëmijë, këto edhe pse janë pak, në një të ardhme mund të rriten”, ka thënë Beqiri për Nacionale.

Kur u bë ky premtim?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë premtim e bëri që në momentin kur bëri prezantimin e programit qeveritar 2021-2025.

Ai pati thënë se kjo Qeveri do të jetë për familjet duke ndihmuar edhe nënat lehona.

Ku premtim në terësi është realizuar me datën 3 janar të këtij viti, ku Ministri i Financave, Hekuran Murati, pati njoftuar për hapjen e aplikimit për shtesa për fëmijë edhe për moshën 16 vjeçare.

“Dhe, më në fund, përmbushet në tërësi njëri nga premtimet kryesore të Qeverisë sonë. Nga tani e tutje, të gjithë fëmijët deri në moshën 16 vjeçare mund të përfitojnë nga shtesat mujore për fëmijë. Qeveria për Familjet”, pati shkruar Murati para dy muajve.

Në anën tjetër, dje kryeministri Kurti, duke prezantuar punën e tij dyvjeçare ka thënë se vetëm gjatë vitit 2022 përmes masës 1.3. mbi 337 mijë fëmijë kanë marrë shtesa çdo muaj.

“Në vitin 2022 mbi 5 mijë gra janë punësuar përmes Masës 1.3. Mbi 337 mijë fëmijë marrin shtesa çdo muaj, dhe mjetet dalin ne llogari të nënës. 89,241 gra që për herë të parë kanë hapur llogari bankare, si rezultat i pranimit të shtesave për fëmijë. Përmes masës Qeveria për Familjen janë punësuar 603 gra, që me pagën që marrin janë burim i vetëm të ardhurave për familjet e tyre. Janë 1,401 vajza të punësuara përmes Superpuna apo praktikës në punë. Janë 44 biznese të grave pronare të mbështetura në zgjerimin e bizneseve të tyre”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kujtuar…